
Protesta qytetare ka hyrë në ditën e saj të 25-të, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe plotësimin e një sërë kërkesash, mes tyre edhe krijimin e një qeverie teknike.
I ftuar në emisionin “MCN Live”, eksperti i sigurisë, Ergys Muzhaqi, e cilësoi protestën si një përzierje mes idealizmit dhe oportunizmit, duke theksuar se elementi më i rëndësishëm i saj është bashkimi i grupeve të ndryshme shoqërore rreth një kauze të përbashkët.
Çfarë po prodhon protesta është një përzierje interesante mes idealizmit dhe oportunizmit.
Ajo që na vlen si shoqëri është idealizmi që e karakterizon këtë protestë.
Janë me dhjetëra e mijëra qytetarë që kanë arritur të bashkohen, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike apo statusit social.
Aty gjen të majtë e të djathtë, të papunë e të punësuar, shtresa të ndryshme të shoqërisë.
Protesta ka dhënë një mesazh të qartë për klasën politike, e cila duhet të reflektojë mbi realitetin e ri politik në vend.
Politika duhet të bëjë një reflektim të thellë dhe t’i përshtatet një epoke të re të realitetit politik në Shqipëri.
Në protestë ka edhe elementë oportunizmi, të lidhur me praninë e forcave të ndryshme politike, si partitë tradicionale opozitare, por edhe formacione më të vogla politike.
Muzhaqi e konsideroi paradoks faktin që organizatorët e protestës që janë identifikuar publikisht, si në rastin e Dritan Goxhajt, janë vënë në qendër të sulmeve për shkak të së kaluarës së tyre.
Sipas Muzhaqit, rasti i tij tregon se çdo person që do të identifikohej publikisht si organizator i protestës do të rrezikonte të bëhej objekt linçimi dhe sulmesh publike.
Organizatorët nuk njihen dhe kjo ka një arsye.
Në momentin që dikush do të dilte publikisht si organizator, do të bëhej objekt sulmesh dhe linçimi. Rasti i Dritan Goxhajt e dëshmon këtë. Kushdo që do të hidhte gurin e parë për t’u identifikuar, do të përballej me të njëjtin fat.
Raste të ngjashme kanë përjetuar edhe aktivistë të tjerë që janë ekspozuar publikisht gjatë protestës, si Gent Progni, Arben Kola.
Por them se energjia e krijuar nga protestat duhet të materializohet tashmw në një projekt politik afatgjatë.
Ky është momentum që protesta të kalojë në një lëvizje.
Protestat një ditë do të përfundojnë, por fryma që ato kanë krijuar duhet të organizohet dhe të shndërrohet në një lëvizje politike.



