Një seri protestash të koordinuara pas tri të zhvilluara tashmë do të pasohen gjatë ditëve të ardhshme në Shqipëri dhe në disa prej qyteteve ku jetojnë komunitete të mëdha shqiptare në Europë dhe Amerikën e Veriut, në mbështetje të kauzës për mbrojtjen e Zvërnecit dhe zonave të mbrojtura natyrore.
Nisma, e organizuar nën motot “Për Natyrën”, “Për Shqipërinë” dhe “Për Zonat e Mbrojtura”, synon të sensibilizojë opinionin publik dhe institucionet për rëndësinë e ruajtjes së ekosistemeve natyrore, biodiversitetit dhe trashëgimisë mjedisore të vendit.
Sipas kalendarit të publikuar nga organizatorët, protestat do të nisin më 3 qershor në Tiranë dhe Durrës, ndërsa do të vijojnë më pas në Korçë, Vlorë, si dhe në qytete të ndryshme europiane e amerikano-veriore, përfshirë Berlinin, Mynihun, Stokholmin, Milanon, Firencen, Londrën, Toronton, Brukselin, Bolonjën, Shkupin dhe Nju Jorkun.
Këto protesta synojnë të bashkojnë qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit në mbrojtje të pasurive natyrore, duke e kthyer çështjen e Zvërnecit në një kauzë me jehonë ndërkombëtare.
Pritet që gjatë protestave të përcillen mesazhe publike për ruajtjen e zonave të mbrojtura, respektimin e standardeve mjedisore dhe përfshirjen e komuniteteve lokale në vendimmarrjet që lidhen me zhvillimin e projekteve në territore me vlera të veçanta natyrore.



