Gjykata në Milano ka dënuar Maria Giulia Sergio ose ‘Fatima’ e njohur si luftëtarja e parë italiane e cila i është bashkuar militantëve të Shtetit Islamik.
Ajo është dënuar në mungesë me 9 vite burg, ndërsa për bashkëshortin e saj me origjinë shqiptare Aldo Kobuzi, gjykata ka vendosur 10 vite heqje lirie.
Gjykata e Milanos, ka dhënë denimin me 4 vite burg për babain e 29-vjeçares, ndërsa motra e luftëtares së Shtetit Islamik u dënua muajt e kaluar nga gjykata italiane.
Aldo Kobuzi dhe Maria Giulia Sergio e njohur edhe me emrin ‘Fatima’ akuzohen për mbështetje të ISIS duke rekrutuar luftëtarë për Shtetin Islamik për në Siri dhe në Irak. Shqiptari Aldo Kobuzi është arratisur nga vendi dhe ndodhet në Siri me bashkëshorten.
Sergio Sergio, babai i italianes, ishte i vetmi që nuk arriti të shkonte në Siri dhe gjykata e akuzoi atë si financuesin dhe organizuesin e udhëtimit të familjes së tij drejt kalifatit.
Sipas të dhënave, Fatima është stërvitur në Siri për përdorimin e armëve, edhe pse grave të kalifatit nuk ju lejohet të luftojnë.
E etur për luftë, në përgjimet që kanë kryer autoritetet italiane, Fatima mësohet t’i ketë thënë familjes në telefon se shpreson shumë që një ditë kalifati t’i lejojë edhe gratë të luftojnë.



