
Parlamenti u përfshi sot në debate mbi dy nismat e maxhorancës: njëra lidhet me tenderat e AKSHI-t, ndërsa tjetra me propozimin për mospezullimin e ministrave nga asnjë gjykatë.
Lidhur me këto zhvillime, të ftuarit në panelin e “MCN informacion” Ndue Pjetra dhe Alban Duraj, avokat dhe Ruel Domi, politolog, ndanë qëndrime pro dhe kundër, si për çështjen e AKSHI-t, ashtu edhe për nismën e kryeministrit Edi Rama për mbrojtjen e ministrave nga pezullimi.
Ndue Pjetra:
Pyetja që lind është: kush e kontrollon SPAK-un? SPAK-u kontrollon vetveten. Ekziston rreziku që të shkojmë sërish drejt një forme monizmi, dhe ky është një rrezik për shqiptarët. Kryeministri nuk po bën një ‘puç’ për veten e tij, por po kërkon të vendosë disa kufij institucionalë.Nuk është çështja si do ta perceptojnë të tjerët, sikur pushteti do të jetë i Ramës përgjithmonë.
Nesër mund të jenë të tjerë në pushtet dhe, nëse e shohin të arsyeshme, mund ta ndryshojnë ligjin. Ideja është të ngrihen themelet e shtetit, jo të mbrohen interesat e një partie.
Ky ligj është i nevojshëm dhe unë e mbështes me forcë një veprim të tillë.
Ruel Domi:
Kur flasim për SPAK-un, nuk flasim për copa letre, por për mijëra dokumente të mbushura me fakte dhe prova, mbi të cilat Prokuroria e Posaçme ngre akuza.Ne jetojmë në një vend ku paratë publike mungojnë dhe shpesh abuzohen, ndaj duhet një proces i drejtë gjyqësor për ata që akuzohen për korrupsion.
Për herë të parë në tre dekada e gjysmë tranzicion, kemi individë të akuzuar për korrupsion të vënë përpara drejtësisë. Deri para pak kohësh, Rama e ka mbështetur SPAK-un. Por në momentin kur hetimet prekën zonjën Balluku dhe çështjen e AKSHI-t, ai duket se e kuptoi se SPAK-u po afrohej.
Projektligji për të mos pezulluar funksionarët e shtetit, sipas meje, ka prapavijë politike dhe nuk ka të bëjë me mbrojtjen e atyre që akuzohen për korrupsion madhor. Nuk kemi arsye ligjore për t’u zgjidhur hallin atyre.
Alban Duraj:
Sa i përket ndryshimit të statusit juridik, nuk mendoj se kemi të bëjmë me një ndryshim thelbësor.Për AKSHI-n, duke qenë se shteti funksionon mbi bazën e një hierarkie, ka disa elemente që në gjykimin tim nuk qëndrojnë dhe që do të duhet të sqarohen nga hetimi dhe vendimmarrja e gjykatës.
Në pamje të parë, ka shqetësime për keqmenaxhimin e një institucioni që varet drejtpërdrejt nga kryeministri.
Sa i përket funksionarëve publikë që shkelin ligjin, ata duhet të përballen me drejtësinë. Është normale që, kur prokuroria u troket në derë, të ketë reagime, por ajo ka të drejtë të hetojë, sigurisht mbi bazën e provave.



