Pijet energjike janë një prej zgjedhjeve kryesore për shumë ushtarë ukrainas në konfliktin me Rusinë, pavarësisht shqetësimeve shëndetësore.
Sipas trupave ukrainase të intervistuara nga New York Times, pijet e mbushura me sheqer dhe kafeinë janë shpesh mënyra e vetme për ta për të kapërcyer rraskapitjen ekstreme dhe për të duruar realitetet e ashpra të vijës së parë të luftës.
“Në mëngjes, kur zgjohem, pi një pije energjike. Kur nisem në patrullë, pi një pije energjike. Para një sulmi, pi një pije energjike”, tha një ushtar.
Ai shpjegoi se pa pije energjike, nuk do të mund të ecte në distanca deri në shtatë kilometra, ndërsa mban 40 kilogramë pajisje dhe kur është i privuar nga gjumi dhe ushqimi për tre ditë.

Disa ushtarë shtuan se më mirë preferonin të merrnin pije energjike në betejë sesa bukë.
Ndërsa disa pjesëtarë të shërbimit i hedhin poshtë shqetësimet shëndetësore që lidhen me konsumimin e vazhdueshëm të pijeve energjike, një rreshter këmbësorie ukrainas i tha NYT se një nga bashkëluftëtarët e tij më të vjetër, i cili kishte një sëmundje zemre dhe pinte dhjetë kanaçe në ditë, u gjet i vdekur me një pije energjike në dorë.
Konsumi i pijeve energjike është rritur gjithashtu në pjesën e pasme, sipas përfaqësuesve të industrisë, të cilët thanë se shumë ukrainas i përdorin ato për të përballuar sulmet e vazhdueshme me raketa, ankthin dhe mungesën e gjumit.
Me pijet që dërgohen me kamion, duke u bërë një lloj “monedhe” e vijës së parë të luftës, tregu i pijeve po lulëzon në Ukrainë.
Sipas sondazheve të industrisë të cituara nga NYT, shitjet e pijeve energjike në Ukrainë janë rritur me gati 50% që nga fillimi i konfliktit.



