
Analizë nga Denis Dyrnjaja
Kur ish-zv.drejtori i AKSH-it, Daniel Shima, u raportua i zhdukur në mënyrë të çuditshme, gjithçka ngjante me pasazhet e një filmi, që nuk dihet kush e ka shkruar skenarin, kush e ka prodhuar dhe kush përfiton nga heshtja. Mesazhi i fundit që ish zyrtari i AKSH-it nisi ishte i qartë dhe tronditës "Po më arrestojnë".
Në fakt nuk pati as arrestim, as hetim, madje nuk pati aq reagim institucional. Pas disa orësh nga zhdukja e frikshme, Shima u vetëparaqit në polici dhe deklaroi se ishte larguar me dëshirë. Pra e gjithë historia u ridimensionua në një konflikt personal. Por nëse do ishte kaq e thjeshtë, pse nuk u hetua? Pse asnjë organ ligjzbatues nuk i dha përgjigje mesazhit alarmues të Danielit "po më arrestojnë”, nëse ishte larguar me dëshirë?
Këtu lind dyshimi më i fortë, sy ky duket si një rast klasik i shtrëngimit apo rrëmbimit të papërfunduar, ku dikush në zinxhirin e interesave ka "tërhequr frenat". Ndoshta sepse është kuptuar se zhdukja do të sillte më shumë zhurmë sesa dobi. Apo më keq, se ideja e mbylljes së gojës së dikujt që mund të dijë shumë do të kthehej në një vëmendje të panevojshme ndaj AKSH-it dhe interesave rreth tij.
Shima nuk është një person dosido. Ai ka pasur rol në një nga institucionet më sensitive të shtetit, në periudhën kur janë dhënë tenderat strategjikë të qeverisë në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit. Dhe çdo zhdukje e papritur e një njeriu me këtë profil nuk është asnjëherë vetëm personale.
Mungesa e transparencës dhe heshtja e menjëhershme nga të gjitha palët, policia, qeveria, opozita, madje edhe një pjesë e medias, është një sinjal alarmi që nuk mund të injorohet.
Rasti u shua me një justifikim të dobët, pa asnjë hetim për deklaratën e parë alarmante, pa analizë për çfarë mund të kishte ndodhur vërtet.
Në çdo shtet tjetër, ky episod do të ishte objekt hetimi dhe analizash pa fund mediatike për t'i shkuar deri në fund zbardhjes se të vërtetës. Ndërsa në Shqipëri mjafton një deklaratë “u largova me dëshirë” dhe gjithçka mbetet aty.
Rasti i Daniel Shimës nuk u harrua, por u vendos se duhej harruar, sepse kështu funksionon kur dikush që di shumë zhduket, rikthehet por me kushtin e heshtjes absolute, duke vrarë në vend të tjj, të vërtetën.



