Në Maqedoninë e Veriut, partitë politike kanë nisur bisedimet për formimin e qeverisë së re. siç raporton Alsat, ditët e fundit ka pasur kontakte mes të gjitha partive, pavarësisht se ishte vendosur që ato të nisnin pas datës 2 gusht.
LSDM-ja e Zoran Zaevit është e bindur se shumë shpejt do të formojë qeverinë e re, e cila do të fokusohet siç thonë realizimin e premtimeve. Ata thonë se negociatat për anëtarësim në BE nuk mund t’ia lënë në duar tjetër kujt.
“Vendimet për deputetët e rinj u dhanë, pason formimi i Qeverisë, e cila do të japë rezultate në përputhje me vullnetin e qytetarëve. Qeveria jonë do të zhvillojë negociata të suksesshme me BE dhe në katër vjet do të hapim 80% të kapitujve”, thonë zyrtarë të LSDM-së.
Edhe VMRO-DPMNE-ja thotë se po zhvillon bisedime jo formale me të gjitha partitë politike, të cilat kanë fituar mandate.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se synojnë të jenë pjesë përbërëse e qeverisë së re, por e shohin të vështirë një aleancë me BDI-në e Ali Ahmetit.
Ndërsa BDI thotë se në zhvillimin e bisedimeve për partneritet në qeverinë e re, prioritet do të ketë respektimin e tri marrëveshjeve: të Ohrit, Prespës dhe atë me Bullgarinë.



