Kryeministri Edi Rama ka sfiduar sërish protestuesit me një tjetër gjest simbolik përpara godinës së Kryeministrisë, duke vendosur një tavolinë guri me mbishkrimin "Dialog".
Lëvizja e kreut të qeverisë vjen pikërisht sot, në ditën e 12-të të revoltës dhe vetëm pak përpara nisjes së tubimit mbarëkombëtar të studentëve dhe sindikatave të arsimit në kryeqytet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale me përshëndetjen e zakonshme “Mirëmëngjes”, Rama ka publikuar pamjet e tavolinës së re të gurtë, e cila është e rrethuar me disa ndenjëse.
Ky hap shënon një ndryshim taktik pas dështimit të përpjekjeve të mëparshme, ku kryeministri nxori karrige të thjeshta në bulevard për bisedime, por ato u refuzuan dhe u thyen nga protestuesit në shenjë revolte.
Reagimi i grupeve studentore dhe i sindikatave ndaj kësaj ftese të re pritet të shihet gjatë marshimit të sotëm, ku përveç kërkesave ekonomike e arsimore, në fokus është edhe dosja voluminoze e dhunës policore që sapo është dorëzuar në SPAK.



