
Skandali i ngacmimeve seksuale i ka kushtuar shtrenjtë producentit Harvey Weinstein. Kompania e tij ka shpallur falimentin. Lajmin e bën të ditur Los Angeles Times, e cila shpjegon se vendimi për shpalljen e falimentit ka ardhur pasi kanë dështuar të gjitha tentativat për shitjen e studios së producentit për një shumë prej 500 milionë dollarësh një grupi investitorësh. Si pjesë e paktit, blerësit duhej të mblidhnin të paktën 40 milionë dollarë fond për të dëmshpërblyer viktimat e Weinstein.
Harvey Weinstein, bashkëthemelues i kompanisë, është larguar nga drejtimi i kësaj të fundity në tetor të vitit të shkuar, pas publikimit të dhjetëra akuzave për ngacmime seksuale dhe dhunë ndaj femrave. Weinstein i ka mohuar akuzat dhe prej muajsh është vënë në kërkim të një shpëtimtari financiar, por mesa duket pa sukses.



