
Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar një herë e përgjithmonë. Ky ka qenë mesazhi i Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës.
Ndër të tjera kryetarja e shtetit tha se politika e jashtme e Kosovës është në funksion të plotë të prosperitetit të rajonit.
Kosova nuk ka politikë të jashtme po thonë ca zëra. Natyrisht që ka. Në fakt, më në fund Kosova ka politikë jashtme. Por po ju tregoj çfarë nuk ka Kosova tani. Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime me Serbinë dhe Rusinë me qëllim të interesave individuale, nuk ka udhëheqës që e krahasojnë Kosovën me Nagorno-Karabkhun e Krimenë. Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë. Sfidat janë të panumërta në politikën e jashtme, sepse gabimet kanë qenë të mëdha në të kaluarën. Së bashku po ndërtojmë një Kosovë partnere me komunitetin ndërkombëtar”.



