Një raport i fundit i Zyrës Europiane për Mbështetjen e Azilkërkuesve, nxjerr Shqipërinë si njëren ndër shtetet në rritje të kërkesave për azil. Në muajin shtator aplikimet për azil për herë të parë nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Europian kanë njohur rritje sipas të dhënave të publikuara nga kjo zyrë.
Në periudhën nga janari deri më shtator të vitit 2019, kërkesat për azil u rritën me 21% krahasuar me vitin 2018.
Në këtë periudhë rreth 15.469 shqiptarë kanë aplikuar për herë të parë për azil, ndërkohë që për të njëjtën periudhë, në vitin 2018, kanë kërkuar azil për herë të parë 12,835 shqiptarë.
Shqipëria renditet si vendi i vetëm europian në 10 vendet kryesore të origjinës së azilkërkuesve në Europë, së bashku me vende si Pakistani, Turqia, Iraku, Kolumbia, Irani dhe Nigeria.

Vetëm gjatë muajit shtator numri i përgjigjeve negative nga ana e autoriteteve ishte 1321, ndërsa vetëm 57 kërkesave iu dha statusi i refugjatit. Autoritetet përkatëse në BE vlerësuan në shtator se vetëm 47 prej kërkesave duhet të përfitojnë azil. Kjo tregon normën e ulët të pranimeve të kërkesave nga shqiptarët. Aplikantët gjeorgjianë dhe shqiptarë kishin nivelin më të ulët të njohjes (përkatësisht 3% dhe 6%) midis 10 vendeve kryesore të origjinës, shkruhet në raportin mujor. Megjithatë, ka ndryshime në vendet e ndryshme të Bashkimit Europian, në lidhje me nivelin e njohjes për të njëjtin vend origjine.
Në mesin e 10 vendeve të origjinës me numrin më të lartë të aplikimeve në janar-shtator 2019, aplikimet e paraqitura nga sirianët kishin nivelin më të lartë të pranimit dhe njohjes së kërkesës (86%), të ndjekur nga aplikantët turq (53%) dhe aplikantët afganë (48%).
Zyra Europiane Për Mbështetjen e Azilkërkuesve raporton se në muajin shtator ishin 12,680 raste në pritje për të marrë një përgjigje. Prej 6430 kërkesa janë të paraqitura në më pak se gjashtë muaj, ndërsa pjesa tjetër po pret të shqyrtohet për një periudhë më të gjatë kohore se aq. Ky është niveli më i lartë i kërkesave që mbeten në pritje për një përgjigje që prej muajit shtator të vitit 2017.
Më shumë se gjysmë milioni aplikime u paraqitën në Bashkimin Europian gjatë nëntë muajve të parë të 2019, me rritje prej 10% krahasuar me një vit më parë. Si më parë, Sirianët, Afganët dhe Venezuelasit kishin numrin e aplikimeve më të lartë, duke përbërë një të katërtën e të gjitha aplikimeve në Bashkimin Europian.
Shumica e vendeve kryesore të origjinës, ku bën pjesë dhe Shqipëria, kanë parashtruar më shumë aplikime në janar-shtator në 2019 në krahasim me të njëjtën periudhë.



