
Politologu Albinot Maloku tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se dëshiron ta shohë turin 4 ditor të kryeministrit Rama në Ballkan si një mënyrë për të kërkuar falje për vizionin e dështuar të projektit “Ballkani i Hapur”. I pyetur për kushtet e vendosura nga Kurti për Ramën dhe marrëdhëniet e dy kryeministrave, Maloku theksoi se kushtet fillimisht janë vendosur nga Rama, ndërkohë që shpërfaqja e raporteve jo të mira ka nisur që në kohën kur Kurti vendosi të marrë mandate në proceset zgjedhore në Shqipëri. "Më vjen mirë që Rama sot e konsideron projektin e “Ballkanit të Hapur” të dështuar pavarësisht faktit se jep epitetin që ka kryer një mision, unë nuk e di se çfarë misioni ka kryer. Këtë tur në Ballkan të kryeministrit Rama pavarësisht fuqisë që ka Shqipëria në rajon dua ta shoh që i kërkon falje vendeve të Ballkanit Perëndimor për një vizion që ka qenë i dështuar dhe tani ka një iluminim, që Procesin e Berlinit që Kosova ka mbështetur në vazhdimësi duke jetësuar dhe marrëveshjet e dala nga ky proces e sheh si më pozitiv dhe më të pranueshëm dhe ky është një hap i përmirësimit të Ramës në raport me këtë proces që duhet të insistonin të gjitha vendet e rajonit . Në anën tjetër, mënyra si po tangojnë kryeministri Rama me kryeministrin Kurti është vazhdimësi e lojërave të nisura më parë që po i kushtojnë dy vendeve me rrotullim imazhi për një raport që unë besoj fuqishëm se tek qytetarët nuk vërehet, por tek raportet shtetërore ka efektin e vet dhe nuk është aspak e mirë. Vazhdimësia e vendosjes së kushteve është nisur nga kryeministri Rama, kurse nisja e raporteve hapur jo të mira mes dy kryeministrave kanë nisur në kohën kur Kurti përmes partisë së tij provoi të marrë mandate dhe vota në proceset zgjedhore në Shqipërisë që me siguri i ka shkaktuar inat Ramës. Kjo lojë vazhdon dhe sot, edhe kushtëzimin e shoh si kundërpeshë të kushtëzimit që nuk pritej sidomos në kohën kur përmendeshin sanksionet për Kosovën. Rama fatkeqësisht në raport me Kosovën ka pasur një trajektore aspak të mirë. Nuk ka qenë e lavdëruar e shëndetshme dhe në momente të caktuara as balancuese nuk ka qenë. Në kohët e fundit kur diskutohej për sanksione për Kosovën, Rama anuloi takimet e rregullta të qeverive dhe kjo nuk ishte e shëndetshme dhe la një shije të keqe sidomos duke parë imazhet e afërsisë së tij me Vuçiçin. Në takimin e Tiranës duhet të flitet për dështimet dhe defektet që po i pëson Procesi i Berlinit i cili ka qenë më i miri deri më tani dhe nuk do të doja që t’i ketë defektet që ka sot. Si pasojë e këtyre situatave kemi muhabetin që si është e mundur që Kurti të mos e presë zyrtarisht në takim Ramën".



