Deputeti Ben Blushi ka vizituar banorët e Zharrëzës, të cilët prej disa ditësh janë në grevë ure për shkak të dëmtimit të shtëpive të tyre nga tërmetet e provokuara nga shpimet për naftë.
“Në Zharrëz, aty ku greva nuk ndalet”, shkruan Blushi në “Facebook”, ku ka postuar një foto me grevistët.
Javën e kaluar në Parlament, Blushi akuzoi qeverinë se po mbyt zërin e këtyre banorëve për të favorizuar kompaninë e naftës që operon atje.
“Greva e urisë e 15 banorëve të Zharrëzës që u janë shkatërruar shtëpitë nga tërmete të provokuara nga një kompani nafte u ndërpre sepse ata shpresuan se një komision nga qeveria do t’u jepte të drejtë. Komisioni nuk u mblodh kurrë. U futën në grevë prapë para 4 ditësh. Çfarë ndodh në Zharrëz? Nxirret naftë dhe uji teknologjik që ndahet pas pëpunimit futet në tokë dhe kjo shkakton tërmete 3-4 ballë disa herë në ditë. Nuk e di si mund të jetonte dikush prej jush në shtëpi të tilla..
Kjo kompani paguan bakshish majtas e djathtas për të blerë të drejta që nuk i ka. Komisioni vendos që dëmshpërblimin nuk e paguan “Bankers”, por buxheti, sikur të ishte tërmet natyror. Pse duhet që taksapaguesit të dëmshpërblejnë familje të dëmtuara nga një kompani private”, tha ai.



