
Demokracia në Ballkan po shënon hapa pas. Kështu shprehet në një intervistë Joan Hoey, drejtoreshë rajonale për Europën në Njësinë e Inteligjencës së “The Economist”. Hoey është redaktore përgjegjëse për EUI Democracy Index, një nga raportet më të njohura në botë për demokracinë.
“Gjendja e demokracisë në Ballkanin Perëndimor është shqetësuese dhe ka pasur një trend në rënie vitet e fundit. Rënia prej 9% për Ballkanin Perëndimor mes 2006-2017 e ka kaluar shifrën mesatare europiane 6.3%. Kjo rënie ka qenë veçanërisht e madhe për Bosnjen dhe Hercegovinën (15%), Maqedoninë (12%), Malin e Zi (13%). Sipas indeksit të demokracisë për 2017-n, Serbia renditet e 66-ta në 167 vende të listës, si e vetmja demokraci e pjesshme. Të gjitha vendet e tjera të rajonit klasifikohen si regjime hibride, me Shqipërinë që qëndron në vendin e 77, Malin e Zi në të 83-tin dhe Maqedoninë në të 88-in. Bosnja dhe Hercegovina qëndrojnë në pikën më të ulët për Ballkanin, në vendin 101”, thotë ajo.
Hoey thotë se ndikim në këtë kthim mbrapa ka edhe perspektiva e munguar e zgjerimit të BE-së.
“Demokracia në Ballkanin Perëndimor është kthyer mbrapa me një 10-vjeçar. Pjesërisht kjo është për shkak të një trendi global, por ka edhe arsye specifike për rajonin. Arsyeja kryesore për këtë në Ballkanin Perëndimor është tërheqja e perspektivës së zgjerimit të BE-së dhe rritja së shqetësimit social dhe ekonomik që nga kriza e vitit 2008", thotë ajo.
Ndërsa sa i përket lirisë së medias, sipas saj në rajon është rritur mosrespektimi i saj.
Hoey do të jetë pjesë e përvjetorit të 10-të të Fondit Europian për Ballkanin, i cili mbahet në Beograd në datat 16-17 prill. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



