Për ish-prokurorin Besnik Muçi, sistemi aktual i drejtësisë është më i keq sesa ai që kishim para reformës.
Në emisionin “Bilardo në MCN”, Muçi tha se sistemi nuk funksion dhe se ajo që trumbetohet me të madhe, “SPAK-u” është thjesht një institucion normal.
Më tej, Muçi tha se vetingu u bë nga njerëz mediokër.
Nuk ishte e nevojshme kjo lloj reforme.
A kishte nevojë sistemi i drejtësisë për t’u përmirësuar? Padiskutim që po!
Nëse kthemi në 2016, dhe analizojmë gjendjen e 3 pushteteve në Shqipëri, gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit, cili ishte më i dobët? Ekzekutivi dhe legjislativi në Shqipëri janë një. E kuptojmë se kush ka qenë legjislativ atëherë, kush e votoi këtë reformë. Kjo nuk është përmirësim i reformës në drejtësi, është shkatërrim dhe ndërtim nga e para. Nuk mundet që një shtet të jetë demokratik pa pasur një sistem gjyqësor të fortë, të fuqishëm, efecient dhe funksional. Ne shkelmuan një parim shumë të rëndësishëm të ndërtimit të sistemit gjyqësor, pavarësinë e sistemit gjyqësor. Ne ia lamë ekzekutivit të ndërtojë sistemin gjyqësor.
Si mund të hedhësh baza të forta kur ti e rivendos një gjyqtar, ngre një komision KPK, KPA, merr disa persona me formim mediokër, me mesatare 6, që as në ëndërr nuk e kishin parë të bëheshin prokuror apo gjyqtar. Është fyerje e personalitetit. Kur isha në KPA analizoja se çfarë përfaqësonte secili, përjashto njërin që kisha në trup gjykues që është personalitet, mendoja se çfarë dua unë këtu. Thashë me vete shyqyr që nuk është ’46. Sikur ishin gjyqe partizane. Unë shoh Shkollën e Magjistraturës, është ulur në maksimum konkurrenca, u hoq dhe mesatarja e lëndëve kryesore. Të rinjtë nuk shkojnë atje. Në kohën time kanë konkurruar 300 veta për 10 vende. Sot fitojnë 70% e atyre që konkurrojnë.
Unë vlerësoj që sot kemi një drejtësi më të keqe se ajo që kishim. Nuk funksion sistemi i drejtësisë sot. Dhe ajo që ne themi është produkt që e mbrojmë me të madhe, SPAK-un e famshëm, dhe ai është një institucion normal. Duhet t’i japim vlerësimin që meriton, nuk po bën namin. Po bën hetime, mori këtë të pandehur, mori atë. Ministra kam marrë dhe unë të pandehur që në vitin 2006.
I kam marrë të pandehur ministrin e Brendshëm, ministrin e Financave, për çështjen e kompleksit Dinamo. Çështja është sa e ndjen shoqëria që janë të mbrojtur.



