
Prefekti i bashkisë Vlorë, Flamur Mamaj në një prononcim për MCN Live lidhur me zjarrin që ka përfshirë vendgrumbullimin e mbetjeve të qytetit, tha se të gjitha instancat janë angazhuar për shuarjen e flakëve. Mamaj tha se një sipërfaqe e madhe është arritur të mbulohet me inerte e dhe, ndërsa shpresojnë të mbulojnë edhe më shumë deri në drekë kur është parashikuar të ketë erëra të forta. “Kemi punuar gjithë natën me të gjitha kapacitetet, të gjitha mjetet kanë qenë në gatishmëri. Bashkia, zjarrfikëset dhe emergjencat kanë ardhur në ndihmë dhe tashmë kemi nëj rezultat që shpresojmë të na ndihmojë pa filluar era. Nuk e shikoj të mundur mbylljen sot pasi në drek presim erëra të forta, por ne do e lokalizojmë duke mbuluar gjithë këtë sipërfaqe potencialisht të rrezikuar nga zjarri. Reagimi që po ndodh në vendgrumbullimin është efikas, kemi patur ndihmë nga të gjithë. Në vijimësi me këtë lloj angazhimi që kemi shpresojmë që kjo gjë të zgjasë dhe të ketë mirëmbajtje nga shërbimet e bashkisë së Vlorës.”, u shpreh Mamaj.



