Drejtësia, Nano: Qeveria ka bërë një reformë që po godet vetë qeverinë

Drejtësia, Nano: Qeveria ka bërë një reformë që po godet vetë qeverinë

Në studion e MCN TV, analisti Mustafa Nano u ndal te skandalet e fundit ku janë përfshirë zyrtarë të lartë të qeverisë. Ai tha se ajo që duhet konsideruar një zhvillim novator në Shqipëri është fakti se përmes reformës në drejtësi janë krijuar disa institucione të reja që po godasin vetë qeverinë. Kjo sipas Nanos mund të përdoret si argument edhe nga vetë Rama në raport me Brukselin.   

 

Është një problem me natyrë lokale që ka zemëruar shumë shqiptarë dhe nuk e di si do dalë PS në zgjedhjet e ardhshme. Në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk kam vënë re përpjekje për të bërë një analizë kritike apo për të lëshuar ndonjë frazë nga ato që duhen deshifruar. Vazhdon flirti i Ramës me Brukselin. Besoj që Brukseli më shumë se nga korrupsioni është më i impresionuar nga fakti që kjo qeveri ka krijuar disa institucione të reja të sistemit të drejtësisë që po godasin vetë qeverinë. Kjo mund të jetë interesante për ata. Edhe për ne është, nuk ka ndodhur ndonjëherë. Qeveria vetë krijon ca institucione që i sulen vetë qeverisë. Është një zhvillim novator. Deri para ca kohësh thuhej se sistemi kontrollohej nga Edi Rama. Tani janë të bindur të gjithë. Kjo narrativë është lënë pas. Nuk është e vërtetë që kontrollohet nga Rama. Madje Ramën e shoh të shqetësuar për këto goditje që po i jep sistemi i drejtësisë. Socialistët nuk marrin shumë kreditë dhe publikisht nuk e thonë këtë po kjo është e rëndësishme, sepse qeveria ka bërë një reformë sipas të cilës janë ngritur disa institucione që po ndjekin korrupsionin në nivele të larta dhe deri tani goditjet më të forta i janë dhënë qeverisë. Rama këtu nuk e ka thënë por me europianët supozoj që e thotë. Nëse i përmend korrupsionin, argumenti që ai përdor është: Shqipëria është një vend i korruptuar. Shoqëria ka probleme të natyrës morale, korrupsioni është endemik, nuk është aq e lehtë. Por ne kemi bërë këtë. Po japim prova. 

 

Nano tha se nuk duhet t’i mbrojë njerëzit e akuzuar.

 

Kritika ime më e fortë nuk ka të bëjë me faktin që ekspozohen disa ministra por me faktin që kryeministri Rama nuk mban qëndrim vetë. E ka injoruar. Kryeministri e ka për detyrë që kur flet me shqiptarët të flasë mbi shqetësimet e tyre. Ai nuk i ka dorëzuar njerëzit e akuzuar dhe duket sikur është i gatshëm t’i përfshijë të gjithë në këtë mbrojtje. 

 

Duke u ndalur te deklarata e fundit e kryeministrit Rama në lidhje me çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Nano tha se përtej interesit politik që duket sikur e ka nxitur procesin, plotësimi i standardeve vijon të mbetet kusht i domosdoshëm. 

 

Ne e kemi interpretuar vullnetin e Europës për ta anëtarësuar Shqipërinë si një interes i rëndësishëm politik që ka lindur veçanërisht kohët e fundit për shkak të luftës në Ukrainë. Që shoqërohet me idenë se Rusia po forcohet dhe një forcim i tillë mund të shtohet me një interes të saj të shtuar në Ballkan. Me këtë është shpjeguar. Nga ana tjetër, të mos harrojmë që procesi i anëtarësimit ka edhe një anë teknike, profesionale, që ka të bëjë edhe gjëra që ne nuk i diskutojmë, mes të cilave edhe cilësia e ushqimit. Janë gjëra për të cilat kërkohet standard. Nuk mund të hysh në Europë nëse nuk i plotëson këto standarde. 

 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy