Pak kohë më parë, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të bëjë ndryshime në ligjin për arsimin e lartë duke e cilësuar shqetësuese numrin e lartë të universiteteve në vend dhe plagjiaturave të diplomave e doktoraturave. Në studion e MCN Informacion, Altin Sholla, administrator i Tirana Business University, tha se pavarësisht rënies së numrit të studentëve, universitetet shqiptare janë përafruar me ato ndërkombëtare.
Ajo që ka ndodhur në Shqipëri në dekadën e fundit është rënia me rreth 30% e numrit të studentëve. Ndërkohë edhe numri i lindjeve në Shqipëri është duke rënë. Shumë studentë zgjedhin të ikin jashtë Shqipërisë dhe kjo bën që numri i universiteteve në raport me popullsinë të jetë i madh.
Ka përafrim të cilësisë me universitetet prestigjioze ndërkombëtare. Një student mund të marrë të njëjtën diplomë pa qenë nevoja të shkojë e të harxhojë trefishin e parave në Angli apo në Francë. Pra largimi i studentëve nuk lidhet me cilësinë.
Mendoj që ne kemi bërë hov cilësor në dekadën e fundit. Megjithatë ka universitete që kanë nevojë për ristrukturim më të mirë. Besoj se ne jemi pak mbrapa në harmonizimin me tregun e punës.



