“Ndërkohë që dosjet presin në prokurori, Erjon Veliaj jo vetëm nuk hetohet, por shpallet mik special i kryeprokurorit të Tiranës”. Kështu u shpreh sot në një konferencë shtypi kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj.
Në emër të PD-së, Alibeaj i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të ndërhyjë dhe të mos lejojë mbylljen e dosjeve me qoka e shkëmbime favoresh.
“Erjon Veliaj ka të paktën tre kallëzime penale në organin e akuzës, për ndërtim pa leje, shpërdorim detyre që solli si pasojë vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, dhe falsifikim firme, e provuar tashmë dhe e pranuar nga vetë ai, e megjithatë, shqiptarët e shohin kryetarin e Bashkisë së Tiranës, herë si dasmor të prokurorit të Tiranës, herë si mik drekash e darkash në restorante. Ndërkohë që dosjet presin në prokurori, Erjon Veliaj jo vetëm nuk hetohet, por shpallet mik special i kryeprokurorit të Tiranës”, tha Alibeaj.
Alibeaj kujtoi kallëzimin e ambientalistëve për ndërtimin pa leje tek Parku i Liqenit, por prokuroria e Tiranës i ka zëvendësuar hetimet me qëndrime me orë të gjata në restorante më të pandehurin.
“Prej gushtit, Veliaj është përgjegjës për vdekjen e Arditit, dhe mbarë shoqëria kërkon drejtësi. Partia Demokratike ka bërë kallëzim penal në organin e akuzës, por prokuroria ka prioritet marrëdhëniet e mira me Veliajn, ftesat për dasëm e drekadarkat, dhe jo hetimin dhe drejtësinë”, tha ai.
“Partia Demokratike gjithashtu e kujton Erjon Veliajn se në mos sot nesër do të ketë drejtësi për Arditin e shpërdorimet e falsifikimet e tij, krime të rënda që sdo të mund ti mbyllë nëpër dasma e restorante”, u shpreh Alibeaj.



