
Gjykata e Apelit shtyn sërish seancën ndaj deputetit të PD Ervin Salianji, për çështjen “Babale”. Gazetari Arsen Rusta bën me dije se sot nuk është vendosur nëse do të pranohet ose jo kërkesa e Salinajit për përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri, dhe pritet një përgjigje pas 48 orësh.
Ndërkaq vet deputeti demokrat në një prononcim për mediat e konsideroi çështjen si të montuar politikisht, duke u shprehur se gjyqtarja relatore është e anshme.
Siç e ndoqët, kjo është një çështje e montuar politikisht, e montuar procedurialisht, e keqpërdorur, gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që deri në këtë moment në këtë çështje janë shkarkuar nga Vetingu, çka i bën ata të cenueshëm në raport me vendimmarrjen dhe përfshirjen në këtë çështje.
Sot kam bërë një kërkesë për përjashtim për shkak të anshmërisë së treguar dukshëm së gjyqtares relatore. Ka shprehur anshmërinë politike në rastet kur ka qenë gjyqtare përgjegjëse për mediat, duke hyrë në debatin e brendshëm në PD rastin e gjyqit të vulës. Ka nxjerrë jashtë radhe dosjen, vetëm disa ditë para se kjo çështje të rishqyrtohej dhe nëpërmjet shortit t’i binte një gjyqtari tjetër, çka tregon qëllimshmërinë e gjyqtares për ta patur vetë çështjen. Dihet botërisht miqësia familjare e bashkëshortit të znj.Petri, Sadushi, me Fatmir Xhafën, dhe kjo e bën të jetë e anshme”.
(10:00)
Ka nisur në Apel seanca ndaj deputetit demokrat Ervin Salianji, i cili kërkon pafajësi lidhur me çështjen “Babale”, për të cilën është dënuar në dhjetor të 2019-ës me 1 vit burg, të konvertuar në shërbim prove.
Ndërkohë prokuroria kërkon dënimin e tij për akuzën e kallëzimit të rremë. Salianji kërkon përjashtimin e gjyqtares relatorë Edlira Petri, pasi sipas tij ajo ka papajtueshmëri për lidhje familjare.
MCN TV ka mësuar se në seancë deputeti i PD është shprehur: “Sokol Sadushi, bashkëshorti juaj ka gjykuar kërkesat e mia në Gjykatën e Lartë për përjashtimin e gjyqtarit Artan Gjermeni. Keni mbajtur qëndrime publike duke ndërhyrë në debatin politik për vulën e PD”.
Po ashtu Salianji është shprehur se: “Ju jeni gjyqtare për mediat por s’keni asnjë kompetencë të reagoni! Duhet KLGJ ta bëjë”.
Në seancën që po mbahet sot janë të pranishëm edhe dy deputetët demokrat Luan Baçi dhe Flamur Noka.
Përmes një audio-përgjimi të publikuar në një nga mediat online në Shqipëri, dhe që më tej u kthye edhe në akuzën e opozitës ndaj qeverisë, u pretendua se Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, fliste me Albert Veliun, i njohur si “Babale” për pazare droge. "Por zëri i audios rezultoi të mos ishte i Agron Xhafës, por i Fredi Alizotit", u tha në deklaratën e Prokurorisë.



