Autoritetet ruse i kanë cilësuar dy menaxherët e një lokali LGBTQ si “terroristë dhe ekstremistë” pas arrestimit të tyre në fillim të marsit dhe në pritje të gjykimit kundër tyre, në atë që është çështja e parë penale e këtij lloji pas valës së re të represionit ndaj pakicave seksuale në Federatën Ruse.
Në nëntor, Gjykata e Lartë ruse ndaloi të ashtuquajturën “lëvizje ndërkombëtare LGBT” për “ekstremizëm”, e cila ishte arsyeja e arrestimit të administratores së bar Pose, Diana Kamilianova, 28 vjeç, dhe drejtorit artistik Alexandre Klimov, 21 vjeç, në Orenburg, Rusia jugperëndimore në fillim të këtij muaji.
Ata përballen me deri në 10 vjet burg për akuzat për “ekstremizëm” dhe “promovim të marrëdhënieve seksuale jotradicionale midis klientëve të bareve”, dhe gjykata e Orenburgut tha se ata do të qëndrojnë në paraburgim deri më 18 maj.
Policia bastisi lokalin më 9 mars. Arrestimet vijnë në kontekstin e një kthese ultra-konservatore që është përshpejtuar që kur Kremlini nisi ofensivën e tij në Ukrainë, duke e paraqitur konfliktin si një betejë kundër Perëndimit dhe vlerave të tij liberale.
Në dhjetor 2022, Putin zgjeroi ligjin e vitit 2013 që ndalonte promovimin e marrëdhënieve “jo tradicionale” me fëmijët për të kriminalizuar çdo përmendje pozitive publike të njerëzve ose marrëdhënieve LGBTQ.



