Është mbyllur procesi i votimit në të gjithë vendin për procesin e primareve në Partinë Demokratike, prej nga do të dalin kandidatët për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Korrespondentja Bendis Druni nga Shkodra raportoi për edicionin e lajmeve në MCN TV se procesi ka shkuar pa probleme.
Procesi i votimit për primaret në Partinë Demokratike, është mbyllur në orën 18.00 në Shkodër. Procesi ka shkaur mirë dhe pa incidente.
Tre kandidatët favoritë janë Bardh Spahia, Gerta Bardeli dhe kryetarja e PD Shkodër, Eljona Shkreli.
Ndërkohë korrespodentja Ervina Garo nga Durrësi, raportoi se procesi i votimit është mbyllur në orën 18.30.
Procesi i votimit ka shkuar i qetë në Durrës, kanë votuar për kandidatët që do të kalojnë më tej në fazën tjetër.
Mbi 300 kandidatë në gjithë Shqipërinë kanë aplikuar për të qenë pjesë e garës, e cila mund të përcaktojë më tej edhe përfshirjen në listat për deputetë.
Ky proces megjithatë nuk do të jetë vula përfundimtare, pasi kreu i partisë Sali Berisha, së bashku me Kryesinë, do të vendosin listat përfundimtare, përfshi edhe vendet e sigurta dhe më tej listat e hapura.
Sipas vendimit të KQZ-së, çdo parti duhet të paraqesë një listë me 186 kandidatë, të ndarë në 12 qarqe të vendit, sipas mandateve respektive. Nga këta 186 kandidatë, 46 do të jenë pjesë e listës së mbyllur, ndërsa 146 të tjerë do të përfshihen në listën e hapur, duke ofruar mundësinë e zgjedhjes së kandidatëve nga ana e votuesve.



