
Shqipëria do të përballet sot në mbrëmje në orën 20:45 me Çekinë në stadiumin “Air Albania”, në një ndeshje ku kuqezinjtë kanë mundësinë të hedhin hapin e madh drejt kualifikimit në Euro 2024.
Shqipëria është në krye të grupit E me 10 pikë, e ndjekur nga Çekia me 8 pikë, kundërshtari direkt që ka një ndeshje më pak se rivalët e saj.
Atmosfera në “Air Albania” pritet të jetë elektrizuese ku biletat e ndeshjes u shitën pak orë pas daljes online.
Armando Broja dhe Ardian Ismajli do të jenë dy mungesat për Silvinjon në sfidën e sotme.
Në vend të Ismajlit në qendër të mbrojtjes pritet të luajë nga minuta e parë Arlind Ajeti, një emër i njohur i kombëtares në rrugëtimin drejt kualifikimit në Euro2016.
Në kampin kuqezi atmosfera është tejet pozitive dhe entuziazmi i lartë pas fitores 2-0 “në shtëpi” përballë Polonisë. Edhe një barazim i mundshëm kundër çekëve do të konsiderohej rezultat pozitiv për “shqiponjat” në rrugëtimin drejt kualifikimit në Europian.



