
Policia e Tiranë ka goditur një grup të strukturuar kriminal prej 5 personash të cilët kryenin trafikun e heroinës në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.
Në operacionin e koduar “LABORATORI” kanë rënë në pranga dy persona për tregëtim të lëndëve narkotike si dhe janë porceduar në gjendje të lirë tre të tjerë për “Moskallëzim Krimi”.
Policia ka sekuestruar 1 kilogramë e 864 gramë Heroinë, 200 gramë Kokaine, lekë e sende që shërbenin për përzjerien dhe ambalazhimin e lëndës narkotike.
"Pas një punë të mirëfilltë profesionale me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u bë e mundur dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal në fushën e narkotikeve në drejtim të dograve të forta, Heroine dhe Kokaine, që ushtrohej nga shtetasit F. N. me pseudonimin “Loli Veres” dhe P. P. me pseudonimin “PIPO”, të cilët në bashkëpunim me njëri- tjetrin shisnin në formë dozash dhe në sasi të konsiderueshme lënde të dyshuar Heroinë dhe Kokainë", sqaron policia.
Për këtë aktivitet kriminal personat kishin përshtatur një apartament për përpunimin, përzerien, ambalazhim, e lëndës narkotike Heroine dhe Kokaine dhe më pas ua shisnin klientëve në doza të vogla.
Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim”.



