Ky është segmenti 2 kilometra i Unazës së Re, i cili do të kushtojë 40 milionë euro si pjesë e Unazës së Madhe, që po financohet nga shteti me taksat e shqiptarëve
Fatura e kripur ka krijuar dyshime te të gjithë, përveç qeverisë, e cila ka bërë prokurimin publik. Por, përpos dyshimeve për koston e ekzagjeruar që ka ky projekt, ndërtimi i tij ka hasur edhe një problem mjaft serioz.
Ndërtimi i kësaj pjese të segmentit të Unazës së Madhe prek më shumë se 300 shtëpi dhe biznese, të cilat rrezikojnë të shemben. Që pas piketimit të tyre nga inxhinierët e ARRSH-së, banorët nga të gjitha trevat e Shqipërisë nisën protestën 20 ditë nga kjo e premte.
Të bashkuar për një qëllim, banorët nga të gjitha trevat nuk shprehen kundër projektit, por ata kërkojnë nga shteti të mos hidhen në mes të rrugës, por të dëmshpërblehen të gjithë me vlerën reale.
Në Unazën e Re ka tre kategori problemesh. Një pjesë e tyre janë me certifikatë pronësie, por ata protestojnë sepse duan që të dëmshpërblehen sipas vlerës reale dhe jo sipas vlerës së tregut sipas listave që ka shteti, pasi sipas tyre ato janë më të ulëta
Kategoria e dytë dhe ku përfshihet pjesa më e madhe e qytetarëve është e atyre të cilët kanë certifikatë pronësie, por janë në proces legalizimi, ndërsa tashmë pas rreth 17 vitesh në proces janë përjashtuar
Po ashtu, ka edhe një pjesë të cilët nuk disponojnë asnjë dokument.
Të bashkuar për një qëllim, banorët e Unazës së Re janë paraqitur të bindur të mbrojnë shtëpitë dhe banesat e tyre. Sipas banorëve, nga projekti i Unazës së Madhe në Unazën e Re preken edhe 300 biznese, që minimalisht nga dy të punësuar, lënë të papunë 600 qytetarë
Qeveria nuk dha asnjë përgjigje në ditët e para të protestës së banorëve duke i lënë këta të fundit në terr informacioni. Qeveria priti që banorëve të Unazës së Re t'u bashkohej opozita, në mënyrë që edhe ta politizonin çështjen. Pasi opozita iu bashkua banorëve, të cilët deklarojnë se kauza e tyre janë shtëpitë e tyre, erdhën edhe reagimet e para. Ishte kryebashkiaku Veliaj, i cili në një mbledhje të Këshillit Bashkiak i quajti protestuesit shpellarë.
Kjo deklaratë acaroi banorët, të cilët ashpërsuan retorikën e tyre ndërsa i kujtojnë kryebashkiakut të Tiranës se ata janë qytetarë, madje të rregullt pasi kanë paguar të gjitha taksat.
Ata gjithashtu akuzuan institucionet shtetërore përkatëse se kanë bërë veprime selektive duke legalizuar shtëpitë kundrejt ryshfeteve.
Veprimet korruptive janë aq të dukshme, sa një nga banorët tregon për Tema TV se si shtëpia e tij, me mure të përbashkëta me dy shtëpi që janë të legalizuara, nuk është legalizuar.
Ndonëse banorët kanë kërkuar edhe ndihmën e deputetes socialiste Blerina Gjylameti, ata thonë se kjo e fundit nuk është përgjigjur. Ndërsa shtojnë se opozita ka kërkuar leje që t'u bashkohet.
Pas disa ditësh protesta të vazhdueshme duke bllokuar rrugën në Unazën e Re çdo ditë, drejtori i ARSH-së, Afrim Qendro, doli publikisht dhe shpjegoi se kush do të përfitojë dëmshpërblim dhe cilët do të trajtohen me qira për tre vite
Por kjo nuk i qetësoi banorët e Unazës së Re. Sipas tyre, deklarata e Qendros synon të përçajë qytetarët. Ndaj ata nuk ndalën protestën, por e intensifikuan atë, madje edhe duke shkuar te Bashkia e Tiranës, ku qëlluan me vezë, flakadanë dhe shashka
Nga kjo ngjarje pati edhe të shoqëruar në polici, por vetëm për pak orë pasi më pas u liruan sërish.
Banorët e Unazës së Re u vizituan nga kryedemokrati Basha, i cili u tha se shteti duhet t'i dëmshpërblejë të gjithë, pasi banorët janë në atë zonë prej 20 vitesh dhe janë kthyer automatikisht pronarë të shtëpive të tyre.
Por kjo vetëm sa ndihmoi kryeministrin Edi Rama, i cili akuzon opozitën se po e përdor ngjarjen për çështje politike.
Duke dëgjuar gjithnjë e më tepër prononcimet e kryeministrit Rama për këtë çështje, protesta vijon çdo ditë e më tepër duke u përshkallëzuar. Kulmi i saj arriti në ditën e 19-të të saj, pikërisht të enjten e kësaj jave, kur ata u mblodhën përballë Parlamentit.
Banorët përsërisnin thirrjet e tyre se nuk lëshojnë shtëpitë e tyre pa u dëmshpërblyer me 100% të vlerës
Ndërsa kryeministri nga poltroni i Parlamentit foli me bindje se do të përfitojën vetëm ata të cilët kanë hipotekë, ndërsa të tjerët do të përfitojnë bonus qiraje për 3 vjet
Banorët e revoltuar tentuan të hynin në Parlament duke u përplasur edhe me policinë, duke i shtyrë dhe duke qëlluar me sende të forta dhe shashka.
Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduara disa gra
Të plagosur nga protesta mbetën edhe disa punonjës policie, më rëndë u dëmtua një punonjëse e forcave Shqiponja nga një shashkë, e cila i plasi në dorë
Pas rreth dy orësh protestë, banorët u shpërndanë ndërsa disa prej tyre u arrestuan nga policia
Ndërsa kryeministri Edi Rama shkoi në Spitalin Ushtarak, ku vizitoi vetëm punonjësen e policisë, e cila u dëmtua rëndë. Pasi doli nga spitali Rama u përball sërish me protestuesit, por ai tha se tashmë ata kanë kaluar vijën e kuqe
Ndërsa deputetët e opozitës, pasi vizituan qytetarët e dëmtuar, u shprehën se bluzat e bardha kanë vepruar me selektivitet duke u kujdesur më shumë për punonjësit e policisë.
Ndërsa protesta vijoi sërish të enjten në darkë te shtëpitë e protestuesve, të cilët këtë herë bllokuan të dy krahët e rrugës.
Ndërsa vëmendja është te brezi i parë i shtëpive tek Unaza e Re, një nga banorët tregon për Tema TV se situata është edhe më e keqe. Ai dyshon se shteti po favorizon ndërtuesit dhe do të devijojë lumin e Lanës duke shembur shtëpitë e tyre edhe pas brezit të parë
E ardhmja e shtëpive të banorëve të Unazës së Re është e paqartë. Banorët vazhdojnë të qëndrojnë të palëkundur për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Bashkia e Tiranës ndërkohë ende nuk ka dhënë lejen e punimeve, pasi që të dalë leja e punimeve, ARRSH duhet të ketë dokumentin që është pronare e vendit. Por që Autoriteti Rrugor shqiptar të jetë pronar absolut, duhet të dali vendimi i Këshillit të Ministrave për të dëmshpërblyer qytetarët. VKM-ja ende s'ka dalë, ndërsa qeveria artikulon se nuk ka kthim pas dhe projekti do të zhvillohet. Ajo që dihet me siguri është se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 41 të saj e sanksionon me ligj të drejtën e pronës. Ndërsa Kodi Civil shprehet qartë se kur e shfrytëzon një pronë për më shumë se 20 vite, atëherë bëhesh automatikisht pronar i ligjshëm.



