
Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN u shpreh se ai do të bashkëpunojë me partitë e reja nëse do të ruhen parimet për të luftuar sistemin e vjetër partiak. Teksa shtroi kushtet e tija, Qori tha se është e qartë që një politikë me parime ka kosto dhe vetëm nëse të gjitha partitë e reja së bashku do të ruajnë këto parime, atëherë do të konsiderojë bashkëpunimin me to. “Lëvizja Bashkë refuzon bashkëpunimin me partitë që kanë vjedhur Shqipërinë sepse kemi kuptuar që partitë e vjetra janë kanceri i vendit. Kur vjen pyetja te bashkëpunimi me partitë e reja, mendoj që këtu “po” dhe “jo” është e kushtëzuar sepse varet nga çfarë. Nëse themi që të bashkohemi sa për tu bërë deputet, unë them “jo”. Qëllimi im në jetë nuk është të bëhem deputet, qëllimi im është të çojë përpara idetë që unë besoj dhe që janë në përputhje me interesin e shoqërisë. E dyta, ka një problem...që është çështja e besimit politik. Mendoj që në zgjedhjet e ardhshme s’do ketë asnjë parti shumicën parlamentare, pra 71 deputetët për të qeverisur. Ajo parti që do jetë e para do fillojë të peshkojë deputetë dhe do fillojë të jap oferta. Në këtë kuptim do të isha pjesë e këtij grupimi nëse askush s’do të tradhtojë dhe nuk do të shitet. Këto janë kushtet dhe për të vërtetuar këtë gjë është qëndrimi në të tashmen ndaj problemeve të mëdha që ka shoqëria dhe shteti. Që është, lufta ndaj sistemit të vjetër partiak, lufta ndaj oligarkisë ekonomike dhe të thuash të vërtetën me zë të lartë aty ku dhëmb dhe ku janë interesat më të pista dhe ku është krimi i organizuar. Kjo nënkupton kosto. Politika e bërë me parime sjell kosto. Nëse do të jemi në këtë vijë do ta mendoj bashkëpunimin. Ka rëndësi karakteri, e vërteta, idetë dhe duhet të jetë një program. Politika është të luftosh për të vërtetën.”



