27 shkolla në Belgjikë nuk po zhvillojnë mësim për shkak të alarmeve për bomba. Lidhur me këtë situatë, në një lidhje skype nënkryetari i një komune në Bruksel, Ahmet Gjanaj u shpreh se alarme të tilla ka pasur dhe më herët dhe në institucione të tjera.
Ai tha se paralajmërimet për sulme terroriste merren seriozisht, ndërsa theksoi se kjo mbyllje ka sjellë pasoja negative në ekonomi dhe policinë e vendit. Sipas tij, pas kontrolleve të imtësishme që janë kryer, nesër shkollat do të hapen normalisht për mësim.
Faktikisht alarmet e tilla kanë qenë të pranishme dhe më përpara dhe disa institucione të tjera kanë qenë viktimë e këtyre paralajmërimeve dhe disa shkolla dhe besoj se dihet që janë tashmë alarme të rreme dhe për momentin nuk ka asnjë pistë që mund të ndiqet nga policia dhe nuk kuptohen arsyet por dihet se aty ka një apo më shumë persona sepse këto alarme janë bërë në mënyrë të organizuar në 27 shkolla të Brukselit dhe Valonisë.
Duke qenë se në Belgjikë është niveli i tretë i sigurisë të gjitha paralajmërimet merren seriozisht sepse mund të jetë dhe sulm terrorist por deri në këto momente prokuroria nuk ka pasur asnjë indicie apo informacion por janë duke punuar për të gjetur se kush fshihet pas tyre.
Ka pasur shumë pasoja negative qoftë dhe në ekonomi sepse janë detyruar dhe prindërit që kanë qenë me fëmijët që nuk janë lejuar të shkojnë ë shkollë. Policia është vënë në alarm dhe kanë kontrolluar të gjitha shkollat në detaje, por duhet të themi se nuk ka pasur asnjë shpërthim dhe nesër shkollat do jenë të hapura sepse pas kontrollit nuk është gjetur asgjë.
Më tej ai shtoi se edhe shqiptarët që jetojnë në këto zona rrezikohen njësoj si vendasit, ndërsa bëri me dije se një kërkesë ka qenë ajo për para për të treguar vendet e bombarduara.
Brukseli që përfshin dhe kryeqytetin dhe rajoni frëngjisht folës Valonia në këto dy vende ku ndodheshin shkollat ishte dhe rreziku. Rreth 30 mijë shqiptarë ndodhen në Bruksel dhe Valoni dhe janë potencialisht të prekur që rrezikojnë njësoj si të tjerët.
Alarmet për bombë kanë qenë dhe një kërkesë për lekë me premtimin se nëse paguhet haraçi do ketë një saktësim se ku ndodheshin ato mjetet shpërthyese. Motivi i këtyre alarmeve të rreme ishte ndoshta për të marrë ndonjë lekë dhe për të krijuar panik, por deri tani nuk dihet qëllimi kryesor i këtyre alarmeve të rreme.



