
Presidentët e Kosovës dhe Serbisë nuk u takuan sot për të vijuar bisedimet e parashikuara me ndërmjetësimin e BE-së. Vuçiç është takuar vetëm me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Pas këtij takimi, Vuçiç vendosi të mos flasë me përfaqësuesit e Prishtinës në Bruksel.
"Vazhdimi i dialogut është i pasigurt", ka thënë drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç, pas takimit Vuçiç-Mogherini.
“Presidenti vendosi ta bëjë këtë, - tha Gjuriç,- për shkak të të gjitha mashtrimeve, kërcënimeve dhe gënjeshtrave të shqiptarëve të Kosovës”.
Gjuriç u referohet deklaratave të autoriteteve në Kosovë, sipas të cilave Vuçiç nuk ka arsye të vizitojë liqenin e Ujmanit, në vizitën e tij të paralajmëruar për 8 dhe 9 shtator.
Mediat në Serbi e kanë përmendur mundësinë e anulimit të takimit Thaçi-Vuçiç para mbërritjes së tyre në Bruksel. Po ashtu, ato raportuan se Vuçiç mund të anulojë edhe vizitën e tij në Kosovë.



