Një nga hetimet më të bujshme të prokurorisë që shënjoi qeverisjen e 8-vjeçare të Sali Berishës ishte ndërtimi i Rrugës së Kombit.
Prokuroria në atë kohë mori person nën hetim ish ministrin e infrastrukturës Lulzim Basha dhe ish drejtori i rrugëve, Andi Toma për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljen e barazisë në tendera.
Dëmi ndaj buxhetit të shtetit sipas një auditi të KLSH në këtë aks rrugor ishte 240 milion euro.
Por kjo dosje do të kishte të njëjtin fat si çdo hetim bërë për ndërtimin e projekteve të mëdha insfrastrukurore në këtë vend, mbylljen e tij.
Hetimi për dy zyrtarët e lartë në atë kohë nisi pas një deklarate media të Arben Meçes ish zyrtarë në Ministrinë e Transporteve se dëmi ndaj buxhetit të shtetit në ndërtimin e Rrugës së Kombit ishte 600 milion euro.
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet kryesisht ndërsa më pas e delegoi çështjen në Prokurorinë e Përgjithshme për shkak se në të përfshiheshin zyrtarë të lartë.
Hetimi në prokurorinë e përgjithshme u regjistrua në emër të Lulzim Bashës pasi në 31 dhjetor 2017, Kuvendi vendosi lejojë ndjekjen penale ndaj deputetit i cili deri atëherë mbrohej nga imuniteti.
Gjatë gjithë vitit 2008, prokuroria hetoi dhe në nëntor të atij viti prokurori Arben Kraja dhe Artur Selmani kërkojnë zgjatjen e hetimeve me një muaj.
Vendimi i zyrës së prokurorit të përgjithshëm është i datës 6 nëntor 2008 dhe hetimet duhet të përfundonin në datën 6 dhjetor.
Në këtë kohë, avokatët mbrojtës të personave nën hetim godasin këtë vendim në gjykatën e Tiranës e cila rrëzon vendimin për zgjatjen e afateve të hetimit.
Të njëjtën gjë vendos Gjykata e Apelit dhe ajo e Lartë. Ky është një momentet procedural që rrëzoi prokurorinë në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin datë 18.11.2008, vendim, i cili u la në fuqi, si nga Gjykata e Apelit Tiranë, ashtu edhe nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (me përbërje të ndryshme nga ky Kolegj), me vendimet, përkatësisht date 23.12.2008 dhe date 25.03.2009, kishte pranuar ankimin e të pandehurve dhe kishte shfuqizuar vendimin datë 06.11.2008 të prokurorit pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, për zgjatjen e afatit një mujor të hetimeve të këtij procedimi penal.
Pavarësisht këtij vendimi, prokuroria në datat 24 dhe 27 nëntor 2008 vendos të njohë dhe tu komunikojë akuzën personave nën hetim. Sipas gjykatës së lartë ky veprim ishte në kundërshtim më ligjin dhe nuk duhej të kryhej pasi gjykatat kishin refuzuar zgjatjen e hetimeve. Cdo veprim hetimor i kryer pas datëë 6 nëntor ishte i paligjshëm.
Këto akte u deklaruan të pavlefshme që në fillim, ose u bënë më pas të pavlefshme me vendimet gjyqësore që u përmenden më lart, për shkak të disponimeve për pavlefshmëri të veprimeve procedurale të mëpasme, parashikuar prej tyre, pavlefshmëri këto të cilat nuk mund të riparohen nga ky Kolegj. Një mundësi e kësaj natyre, në kushtet kur për deklarimin e pavlefshmërisë së akteve të përmendura, që i përkasin këtij procedimi, ekzistojnë vendime gjyqësore të formës së prerë, fuqia e të cilave, sikurse dihet, për çështjen konkrete në të cilën janë dhënë barazohet me fuqinë e ligjit.
Prokuroria në kushte të tilla ku të hetuarve nuk po u komunikohej akuza pasi të ata nxirrnin gjithmonë justifikime vendos të dërgojë dosjen në gjyq në limitin e afateve.
Edhe pse kishte një vendim, gjykata që nuk njihte zgjatjen e afateve hetimore ne 5 dhjetor 2008 prokurorët Arben Kraja sot prokuror në SPAK dhe deri në dhjetor të vitit të kaluar drejtues i tij dhe Artur Selmani dërgojnë dosjen në gjyq dhe Lulzim Bashën vendosin ta njoftojnë me postë.
Dosja i dërgohet Bashës në Ministrinë e Jashtme, të cilën ai e drejtonte prej disa muajsh pasi ishte larguar nga infrastruktura.
Por sipas ligjit personat në hetim duhet të njoftohen disa ditë me akuzën dhe dërgimin e dosjes në gjykatë. Grupi i prokurorëve në atë kohë i bëri të gjitha këto brenda 24 orëve.
Përsa i përket justifikimit të përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme për përpilimin e disa akteve të rëndësishme procedurale brenda të njëjtës ditë (05.12.2008), argumenti i përfundimit, sipas tyre, të afatit të hetimit të çështjes të nesërmen, më 06.12.2009, nuk ka bazë ligjore. Këto janë pikërisht shkaqet për të cilat ky Kolegj nuk mund të fillojë shqyrtimin e akuzave që përmban kërkesa për gjykim, tashmë e pavlefshme. Ky Kolegj sjell në vëmendje se, sipas nenit 42/1 të Kushtetutës, veç lirisë dhe pronës, edhe të drejtat e tjera të njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor. Për rrjedhojë, në përfundim, ky Kolegj vë në dukje se: Mangësitë e konstatuara në procedimin penal ndaj personit nën hetim - Lulzim BASHA dhe të pandehurit - Andi TOMA, gjatë fazës së hetimeve paraprake, tregojnë në fakt për një proces jo të rregullt ligjor.
Për shkaqet e mësipërme, Gjykata e Lartë pushoi hetimet për Lulzim Bashën në 10 prill 2009 vetëm 2 muaj para zgjedhjeve parlamentare të atij viti. Në këtë mënyrë u mbyll me procedurë ligjore pa u gjykuar një nga dosjet më bujshme hetimore të nisura gjatë qeverisë Berisha.
Kjo për shkak të lojërave procedurale të avokatëve mbrojtës dhe të hetuarve që nuk merrnin dijeni për mbylljen e hetimeve. Sigurisht dhe për shkak të prokurorisë e cila çoi në limite afatet e veta hetimore duke shkelur më pas procedurën gjë e cila u përdor edhe nga gjykata e lartë për të pushuar hetimet. Rruga e Kombit fillimisht u tha se do të ndërtohej për 600 milionë euro, ndërsa në fund fatura e saj shkoi në rreth 1 miliardë euro.



