
Presidenti turk Tajip Erdogan bëri thirrje të martën për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Izraelit për të siguruar që më shumë ndihma humanitare të lejohet në Gaza dhe tha se Ankaraja do të rrisë mbështetjen e saj gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Turqia, e cila e ka kritikuar ashpër Izraelin për ofensivën e tij ushtarake në Gaza dhe ka mbështetur hapat që udhëheqja izraelite të gjykohet për gjenocid në Gjykatën Botërore, ka bërë thirrje vazhdimisht për një armëpushim, ndërsa ka dërguar më shumë se 40,000 tonë ndihma humanitare përmes Egjiptit.
Duke folur në një darkë të agjërimit gjatë Ramazanit me ambasadorët e huaj në Ankara, Erdogan kritikoi vendet perëndimore për mbështetjen e Izraelit, duke thënë se i kishin dhënë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mundësinë për të kryer "sulme të egra" në enklavë për shkak të "qëndrimit të tyre të pavendosur".
“Pavarësisht se çfarë bën udhëheqja izraelite, ajo nuk mund ta fshehë realitetin se është një (qeveri) vrasëse, mizore, kriminale, gënjeshtare dhe fashiste,” tha Erdogan, duke shtuar se komentet që bënin thirrje për qetësi ishin të pakuptimta ndërsa mbështetja për Izraelin vazhdonte.
“Ne të gjithë e dimë shumë mirë se për sa kohë që sulmet ndaj Gazës dhe rrethimi vazhdojnë, sasia e ndihmës nuk është e mjaftueshme. Nevoja më urgjente është që të rritet numri i kamionëve që kalojnë nga porta e Rafahut. Natyrisht, për këtë duhet të bëhet presion mbi Izraelin”, shtoi ai, duke iu referuar kalimit kufitar të Egjiptit me Gazën.



