
Partia Demokratike depozitoi ditën e mërkurë në Kuvend 3 amendamente ku propozonte vetting në politikë, reformë të re territoriale dhe reforma zgjedhore.
Sipas ish-presidentit Bujar Nishani vettingu në politikë është një domosdoshmëri, por kjo nuk duhet të kryhet nga SPAK, por nga auditues dhe gjyqtarë të huaj të kontraktuar nga Shqipëria.
“Si parim jam kundër hipokrizisë, për t’i hedhur hi syve të tjetrit. Vettingu në politikë është bërë një domosdoshmëri dhe politika është kthyer në një strehë për imunitet. Kemi mbërritur në atë pikë ku nevojitet besueshmëria e opinionit publik. Ne i kemi ligjet dhe mekanizmat dhe fakti është moszbatimi i ligjit. Mund ta zgjidhim siç u veprua në sistemin e drejtësisë, që u gjet një mekanizëm ekstra ligjor që vepronte brenda sistemit të drejtësisë. Kur ka funksionuar në sistemin e drejtësisë imagjino sa i nevojshëm është në politikë.
Përsa i përket propozimit nga PD, Basha e bën për ti ikur asaj që është duke ndodhur brenda në PD. PD kërkon të ikë dhe të tërheq vëmendjen në çështje që në parim qëndrojnë, por janë një gënjeshtër e madhe. Nëse duam të gjejmë krimin, duhet të ndjekim paratë e paligjshme.
Patjetër dhe administrata duhet të shkojë në vetting, dhe presidenti. Çështja duhet të bëhet përmes një mekanizmit që gëzon pavarësi. Më pas kryesorja është sekuestrimi i këtyre pasurive, dhe më pas ti refuzohet pjesëmarrja në institucionet.
Mendoj se duhet të kryhet nga një grup audituesish të huaj të kontraktuar nga shteti shqiptar dhe të kryet ky proces.”, u shpreh Nishani.
Sipas ish-presidentit, propozimi i Bashës është një teatër sepse PD nuk i siguron votat në parlament dhe sipas tij Edi Rama nuk do ta votonte kurrë vettingun në politikë.
“Është teatër kjo e Bashës sepse dihet që PD nuk i ka votat në parlament. Nëse do të kishte një nismë, Basha duhet të kishte nisur procedurat për referendumin mbarëpopullor. Të bëhej një vetting i vërtetë dhe jo nga institucionet e kapura.”, shtoi më tej Nishani.
Përsa i përket reformën territoriale të propozuar nga PD, Nishanu u shpreh se kjo është një fasad. Ish-presidenti tha se PD duhet të kishte përgatitur një hartë të re dhe më pas ta propozonte atë.
“Lëvizje të Bashës janë fasad dhe pa thelb, janë për ti ikur të vërtetës që ndodhet opozita. çështja e reformës territoriale është domosdoshmëri. Janë dy momente do të sjellë së pari eksperiencën personale para zgjedhjeve të 2005 dhe iu imponua mazhorancës së Nanos që të prezantonte draftin, .. pranoi që propozimin bazë ta paraqite PD. Unë jam autori i hartës që u bë në rrethin e Tiranës. Të gjitha zonat territoriale ishin projekt i imi dhe kolegëve të mi. Nëse nuk do të diskutonim këto detaje, PD do të kishte paraqitur një draft, por nuk e dinë që opozita është punë por e dinë kafene dhe rotacion. Duhet të kishin studiuar historikun e zgjedhjeve dhe të kishin përgatitur një hartë. Dhe të thoshin kemi këto 3-4 arsye dhe kjo është harta që propozojmë dhe ta çonin në parlament.”, përfundoi Nishani.



