
Autoritetet portugeze që po hetojnë aksidentin tragjik të ndodhur të mërkurën në Lisbonë kanë bërë të ditur se një kabllo e linjës së tramvajit është këputur, ndërkohë që pjesa tjetër e mekanizmit ka funksionuar normalisht.
“Nga hetimet e para në vendngjarje u përcaktua menjëherë se kablloja që lidhte dy vagonët kishte shkëputur,” thuhet në raportin paraprak.
Tramvaja Gloria, një nga simbolet e transportit në Lisbonë me histori 140-vjeçare, është projektuar për të lëvizur në pjerrësi të forta.
Aksidenti ndodhi të mërkurën në mbrëmje, kur një nga vagonët doli nga shinat. Si pasojë, 16 persona humbën jetën dhe rreth 20 të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas policisë, viktimat përfshijnë pesë shtetas portugezë, tre britanikë, dy koreano-jugorë, dy kanadezë, një amerikan, një ukrainas, një zviceran dhe një francez.
Kryeministri i Portugalisë, Luis Montenegro, e cilësoi këtë ngjarje si “një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit.”



