
Drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjegjës ndaj Emergjencave në AKMC, Robert Hysenllari në një komunikim me edicionin e lajmeve në MCN tv, tha se sa i përket situatës me motin në Shqipëri, sasia më e lartë e reshjeve të regjistruara gjatë natës ka qenë në qarqet e Lezhës dhe Shkodrës, duke bërë që gjendja në këto dy zona të sjellë pasoja.
Situata përgjatë 24 orëve të fundit, ka qenë më e rëndë në pjesën veriore dhe joperëndimorë të vendit, duke bërë qqë në rajonin e Shkodrës e Lezhës, të kemi përmbytje, rënie të dherave, gurëve nga malet, fryrje të lumenjve.
Për momentin qarku i Lezhës, që nga pasditja e djeshme po kthehet drejt normalizimit, nuk ka problematika.
Sipërfaqja e tokës së përmbytur në Shkodër ka shkuar në 1120 hektar në ujë ndërsa afro 250 hektar janë të përmbytura në Vau Dejës.
Është bërë evakuimi i një familjeje prej 6 personash në lagjen Kodër Mulliri, njësia administrative Kolsh, si dhe një në familje në bashkinë Mat.
Forcat e Armatosura u janë përgjigjur nevojave të bashkive në këtë situatë. Kështu në bashkinë Lezhë janë angazhuar 40 trupa ushtarake si dhe janë dërguar dy mjete të kalueshmërisë së lartë dhe katër motopompa.
Në bashkinë Shkodër në fshatin Obot, njësia administrative Ana e Malit operuan katër trupa me një mjet të kalueshmërisë së lartë. Ndërsa në bashkinë Mat, një mjet i kalueshmërisë së lartë me gjashtë forca.
Sipas Hysenllarit, niveli i lumenjve është nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre.
Hidrovoret janë gatishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk paraqesin problem për përmbytje. Sasia e reshjeve nuk do të ndikoj në fryrjen e lumenjve. Të gjitha kuotat janë nën nivele kritike, lumi Buna, Drini i Lezhës, lumi Mat, Ishmi, Vjosa, dhe të gjithë lumenjtë tjerë janë nën nivelin kritik dhe janë në monitorim.
Edhe sikur të ketë reshje, të cilat pritet të ulen në ditët ne vijim, nuk do të ndikojnë dhe gjykoj se në vijim nuk do të kemi më përmbytje.



