Franca ka mbyllur rrugëtimin në Europian, teksa është eliminuar nga Zvicra. Këta të fundit kanë triumfuar pas penalltive, pasi ndeshja u mbyll në barazim 3-3, pas 120 minutave lojë. Te penalltitë, helvetët u treguan më të saktë, duke i shënuar të pesta, ndërsa për Francën e humbi Mbappe, gjuajtja e të cilit u prit nga portieri Sommer. Kampionët e Botës i japin kështu lamtumirën Europianit, ndërsa Zvicra kalon në çerekfinale, aty ku i pret Spanja, e cila eliminoi Kroacinë.
Koha e rregullt u mbyll në barazim 3-3, duke shkuar kështu në shtesa, aty ku gjithashtu nuk kishte fitues dhe penalltitë vendosën gjithçka.
Kanë qenë 120 minuta me të vërtetë spektakolare ato në Bukuresht, ku skuadrat shënuan plot 6 herë në total. Zviceranët kaluan të parët në avantazh me Seferovic në minutën e 15-të, duke e mbyllur me këtë rezultat pjesën e parë. Megjithatë e dyta ishte një tjetër histori. Helvetët kishin mundësinë të dyfishonin shifrat në minutën e 55-të, por Rodriguez humbi penallti. Pas kësaj, Benzema realizoi dy herë në minutat 57-të dhe 59-të duke përmbysur rezultatin. Pogba shënoi të tretin për skuadrën e Deschamp, duke bërë të gjithë të mendojnë se gjithçka u mbyll këtu, por nuk ndodhi kështu.
Zvicra nuk u dorëzua dhe ngushtoi shifrat me Seferovic në minutën e 81, ndërsa në të 90-ën ishte Gavranovic që barazoi shifrat, duke e dërguar ndeshjen në shtesë dhe më pas në penalltitë, aty ku dolën triumfues.



