
Kreu i KQZ-së, Klement Zguri, u larguar sërish nga mbledhja, pasi bëri të qartë edhe njëherë qëndrimin e tij në lidhje me dekretin e presidentit për zgjedhjet. Zguri tha se dekreti i kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve është botuar tashmë në fletoren zyrtare dhe ka hyrë tashmë në fuqi, ndërsa kërkoi që të ndërpritet procedura për organizmin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Duke lexuar kërkesën, njëra bën me dije për dekretin për shfuqizimin e dekretit 1. Jemi përballë një dekreti të tillë, ka patur një diskutim. Dekreti i 2019-s është botuar në fletoren zyrtare dhe ka hyrë në fuqi. Kam dy vendimmarrje, Presidentin edhe Ministrinë e Drejtësisë. Po pse në fletoren zyrtare vendosen akte të pavlefshme, kush mund të ma thotë përgjigjen. Personalisht nuk dua të merrem me presidentin, nuk janë gjykatat që më bëjnë të shikoj ligjshmërinë, bëhet fjalë për një dekret që është vendosur në fletoren zyrtare. Unë i qëndroj asaj që deklarova në mbledhjen e parë, shto dhe fletoren zyrtare. Mendoj se KQZ duhet të ndërpresë procedurat për vazhdimin e procesit zgjedhor me 30 qershor”, tha Zguri.
Ndërsa nënkryetari Denar Biba tha se se dekreti i presidentit është antikushtetues dhe nuk vlen të diskutohet.
“Në lidhje me premisën, kur kërkuesi detyrohet të prezumojë dekretin e presidentit ne jemi shprehur, ku duke çdekretuar datën e zgjedhjeve presidenti doli nga Kushtetuta dhe është nul, nuk ekziston. Vendimi ynë lë në fuqi dekretin e 2018. Në lidhje me kërkesë, ajo bie ndesh me Kushtetutën, duke bërë këtë gjë ne prishim fletën e votimit dhe në dy tre ditët e ardhshme vijnë në Shqipëri. Dhe duke e zhbërë fletën, ne praktikisht nuk do mund të merrnim pjesë në zgjedhje duke penalizuar edhe pjesët e tjera që duan të marrin pjesë në zgjidhje. Kodi Zgjedhor është procedurial që parashikon procedura. Aty nuk parashikohet e drejta e subjekteve për t’u tërhequr nga gara kur është hedhur shorti, kështu që i qëndrojmë konsekuent ligjit, dhe në gjykimin tim të rrëzohet kërkesa”, tha Biba.



