
Apple pritet të njoftojë nesër se tremujori i fundit i 2017-s ka qenë më me fitim se asnjëherë për kompaninë me bazë në Cupertino. Sipas një vlerësimi të Morgan Stanley, të ardhurat gjatë periudhës shtator-dhjetor 2017 kanë arritur nivelin 92 miliardë dollarë. Megjithatë, viti i ri ka nisur me vështirësi të paparashikuara për shkak të iPhone X-it.
Ishte fillimisht Bursa e Nju Jorkut dje dhe më pas ajo e Tokios, që reaguan pas zërave për një shkurtim drastik të prodhimit të iPhone X, i cili thuhet se do të prodhohet vetëm në 20 milionë kopje, ndërkohë që më parë pritej që numri të ishte 40 milionë.
Çfarë nuk shkon me iPhone X-in?
Pas rritjes së shitjeve në fundvit, kur para dyqaneve të Apple-it u krijuan radhë të gjata, gjithçka është rikthyer në normalitet. Madje rënia e shitjeve mund të jetë ndikuar edhe nga çmimi i shtrenjtë. Në Europë, iPhone X kuhston 1190 euro me kapacitet 64 gigabajt dhe 1360 euro me kapacitet 256 gigabajt.
Po ky mund të mos jetë shpenzimi i vetëm. Ndryshe nga iPhone 8 dhe iPhone 8 Plus, që kanë funksionin e karikimit të shpejtë, modeli X ka vetëm një ushqyes modest me fuqi 5 vat. Për një karikues të shpejtë duhen shpenzuar rreth 60 euro të tjera për një ushqyes origjinal Apple.
Tjetër problem mund të jetë siguracioni. Ata që duan të riparojnë defektet apo dëmet aksidentale të aparatit duhet të paguajnë edhe 229 euro për asistencën AppleCare+.



