
Për ish-ministrin e Jashtëm Aldo Bumçi, atentati ndaj Trump duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjithë aktorët politikë, në mënyrë të veçantë për Partinë Demokratike amerikane, për të ndryshuar retorikën dhe sjelljen që kanë krijuar një klimë të paprecedentë, ku kundërshtari politik projektohet si armik.
Në një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN Tv, Bumçi tha se ka pasur përpjekje të vazhdueshme për ta eliminuar Trump-in politikisht, dhe e gjithë situata kulmoi me tentativën për vrasje.
Sipas Bumçit kjo ngjarje trimëron regjimet autoritare.

Është ngjarje jashtëzakonisht e rëndë, shumë e rrezikshme. Duhet të jetë një kambanë e madhe alarmi, besoj do të jetë për të gjithë aktorët politikë, në mënyrë të veçantë për Partinë Demokratike amerikane, por edhe për jehonën në botë për të ndryshuar retorikën dhe sjelljen që kanë krijuar një klimë të paprecedentë, të pakrahasueshme ku kundërshtari politik projektohet si armik, si rrezik i vlerave të demokracisë. Kështu është përkufizuar Trump. Kanë vënë në përdorim të gjithë sistemin e drejtësisë me hapjen e shumë çështjeve me qindra akuza.
Patën përpjekje për të eliminuar nga fleta e votimit, shumë shtete në Amerikë i hiqnin emrin nga fleta e votimit kur ai nuk ishte i dënuar, gjë që tregonte përpjekje të koordinuar për ta asgjësuar politikisht.
E gjithë kjo klimë, tani kemi dhe aktin për asgjësimin politik. Nuk bëhet fjalë për akt të vetmuar. Do jene hetimet që do e zbardhin, por pavarësisht nga hetimet ne tani jemi dëshmitarë të degradimit të vlerave demokratike.



