
Për më shumë se 30 vjet, ish-minatorët shqiptarë kanë kërkuar të drejtën e tyre për një status të merituar, por premtimet e papërmbushura të qeverisë kanë lënë këtë komunitet të zhgënjyer.
Agim Vladi dhe Qani Shino, dy ish-minatorë, shprehen për “MCN Informacion” se kanë protestuar për 34 vite, por janë përballur me vesh të shurdhër nga autoritetet dhe janë ndër të vetmit në botë pa statusin e minatorit.
Agim Vladi:
Ne kemi 34 vite që protestojmë. Në vitin 1992, na hoqën statusin e minatorit, edhe pse ky ishte një profesion shumë i vështirë dhe i rrezikshëm. Politikanët tanë, si të majtë dhe të djathtë, nuk kanë kuptuar rëndësinë e këtij statusi.Nëse ata nuk e pranojnë statusin tonë, le të shkojnë të bëjnë një xhiro brenda në minierë dhe të kuptojnë se çfarë pune bëjmë. Edhe pse ka pasur premtime për miratimin e statusit, deri tani nuk dimë asgjë për të. Statusi ynë është i harruar dhe mbetet në sirtarët e Kuvendit.
Ne nga statusi përfitojmë të gjitha atributet, që te sëmundjet, që te aksidentet, qysh te dalja në pension, që edhe për këtë thonë kryeministri keni dal 15 vjet para, kur dihet që mosha ka qene 50 vjeç, 10 vjet e gjysmë nën tokë, 25 vjet gjithsejtë punë, dilje në pension. Trajtimi në kohën e regjimit ishte tepër dinjitoz, tani është bërë si më qenë punëtor komunaleje.
Qani Shino:
34 vjet kemi protestuar, por gjithmonë hasim në vesh të shurdhër. Politika na ka bërë gjëmën, sidomos me pensionet dhe me VKM që na kanë nxjerrë me koeficientin 1.3% dhe pagë të ulët.Ne kërkojmë statusin e minatorit, sepse pensionet që marrim janë minimale dhe të padinjitetshme. Prej kohësh është premtuar statusi, por asnjëherë nuk është mbajtur. Kur opozita ishte në pushtet, e zgjati periudhën për të dalë në pension me 15 vjet punë nën tokë, dhe tani, kur ata janë në pushtet, kanë vendosur të dalim në pension nga mosha 55 vjeçare me vetëm 12 vjet punë.
Kryeministri jonë ka premtuar tre herë për statusin e minatorit, dhe se ka mbajtur asnjëherë premtimin.
Ne jemi pikë e parë në botë që jemi minator pa status jemi ne të Shqipërisë.
Minatorët shprehen se kërkesat e tyre janë injoruar dhe se kur kërkojnë takim me ministrat dhe zyrtarë, shpesh i lënë të presin, pa një përgjigje konkrete.
Neve në takime që kërkojmë na gënjejnë dhe na përcjellim.
Ne kemi bërë kërkesa për takim me ministren Balluku, këto tani na presin drejtorët dhe ata na thonë mos kërkoni status, kjo është e pafalshme. Kanë qenë 23 mijë minator, sot kemi ngel 2200. Kërkesa për statusin, i përmbledh të gjitha.



