Këshilli i Ministrave në BE i dha dritën jeshile liberalizimit të vizave me Kosovën, duke aprovuar në lexim të parë vendimin final.
Rregullat e reja i lejojnë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180-ditore. Pritet që kjo të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024, kur do të aplikohet ETIAS.
“Këshilli sot miratoi pozicionin e tij lidhur me lëvizjen e lirë pa viza për bartësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Rregullat e reja do t'u mundësojnë bartësve të këtyre pasaportave udhëtimin në Bashkimin Evropian pa viza për qëndrim në një periudhë deri 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditëve“, ka thënë pas miratimit ministrja e Brendshme e Suedisë, Maria Malmer Stenegard.
“Përjashtimi për detyrimin për viza do të vlejë nga data kur të jetë në fuqi Sistemi Evropian i Informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS) apo prej 1 janarit të vitit 2024, varësisht se cila nga këto data do të jetë më e hershme“, shtoi Malmer Stenegard.



