Editorial
Asgjë nuk ka ndryshuar në esencë, në propozimin e përcjellë përmes letrës së Komisionarit të BE, Johannes Hahn. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nxitoi të bënte deklaratën përpara se sa letra të përkthehej dhe të publikohej e plotë, madje kumtoi vetëm pjesët që i interesonte. Sipas tij, ndërkombëtarëve iu hoqën kompetencat ekzekutive dhe tashmë kanë vetëm të drejtën për të rekomanduar.
Në fakt, kështu ka qenë qysh në fillim. Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtar nuk preket dhe funksionimi i tij do të vendoset në Kushtetutë, ashtu siç ishte vendosur qysh në fillim. Operacioni monitorues do të vazhdojë 5 vjet dhe do të vendoset me Kushtetutë që ka karakter transitor. Bashës, thjesht iu dha mundësia që të dalë me fytyrë të larë nga pellgu që krijoi dy ditët e fundit. E vërteta është se vetingu (skanimi i njerëzve të drejtësisë) do të bëhet nga ndërkombëtarët dhe jo nga njerëzit që do të donte t’i emëronte dhe kontrollonte politika.



