
Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, ka kërkuar sot dorëzimin e pasaportave diplomatike për rreth 350 persona, duke u shprehur se ato janë dhënë dhe mbahen në kundërshtim me ligjin.
Cakaj u shpreh se shumë prej personave që mbajnë këtë pasaportë janë gjyqtarë që nuk kanë kaluar vettingun apo edhe shoferë të diplomatëve. “Shqipëria ka dyfishin e pasaportave diplomatike krahasuar me vendet e fuqishme evropiane. Kjo nuk është një krahasim për qëllime stilistike, por ky është një fakt. Në shkelje flagrante edhe të këtij kuadri ligjor dhe admistrativ sot në Shqipëri ka më shumë se 350 persona që mbajnë pasaportë diplomatike në shpërputhje me ligjin, që hyjnë e dalin si personalitete me status të veçantë. Deputetë të mandateve të kaluara, gjykatës që nuk e kanë kaluar vettingun, deri tek shoqërues të personaliteteve të njohura në Shqipëri. I ftoj publikisht të gjithë të bëjnë dorëzimin e pasaportave diplomatike, sepse pasaporta e tyre diplomatike do të bllokohet dhe do të shpallet e pavlefshme” deklaroi ministri Cakaj.
Ministri në detyrë deklaroi po ashtu se do të hiqet VKM që jep pasaportat diplomatike në masë si dhe do të përmirësohet kuadri ligjor për këtë çështje. Cakaj tha se do t'i kërkojë qeverisë abrogimin e vendimit për lëshimin e pasaportave diplomatike.
“ Unë do t'i përcjell qeverisë për vendim abrogimin e VKM -së që u jep të drejtën e pasaportës diplomatike drejtuesve të anëtarëve të bordeve, udhëheqësve të enteve e autoriteteve të ndryshme rregullatore deri te shoferët e institucioneve të caktuara. Plani i veprimit për ndryshimin e kuadrit ligjor dhe administrativ për lëshimin e pasaportës diplomatike është gati dhe është në përputhje me standardet më rigoroze evropiane për bartjen e pasaportës diplomatike”, tha ministri Gent Cakaj.



