Moderna ka zbuluar për herë të parë çmimin e vaksinës së saj kundër Covid-19. Qeveritë do të duhet të paguajnë midis 25 dhe 37 dollarë për dozën e vaksinës së Moderna. Detajet janë bërë të ditura nga shefi i firmës bioteknike të SHBA në një intervistë me të përjavshmen gjermane “Welt am Sonntag”.
"Ky është një çmim i drejtë, duke pasur parasysh koston e sistemit shëndetësor, kur një person sëmuret rëndë me Covid-19", tha CEO i Moderna, Stephane Bancel.
Ndërsa çmimi përfundimtar për dozë do të varet nga madhësia e porosisë, tha Bancel duke shtuar se kompania nuk është e interesuar për "fitimin maksimal", ndërsa krahasoi çmimin e vaksinës me atë të gripit. Moderna do të prodhojë rreth 20 milionë doza deri në fund të vitit, një pjesë e të cilave do të shpërndahen në Evropë këtë vit.
"Vaksina jonë kushton përafërsisht njësoj me një vaksinë gripi, e cila është midis 10 dhe 50 dollarë", citon Reuters shefin e Moderna-s.
Moderna aktualisht po negocion furnizimin e vaksinës me Komisionin Evropian. Një nga çështjet kryesore për të cilën palët pritet të bien dakord është tarifa e rezervimit. Ndërsa asnjë kontratë nuk është nënshkruar deri më tani, bisedimet janë në fazën e fundit, tha ai, duke shtuar se është vetëm "çështje ditësh" derisa të përfundojë një marrëveshje.



