
I shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë, kryeministri ka vizituar nga afër një godinë të Qendrës Spitalore Univesitare të Tiranës (QSUT), e cila pësoi dëmtime të konsiderueshme prej tërmetit të 26 nëntorit.
Ministrja Manastirliu i shpjegoi Ramës se dëme kanë patur godinat e Kardiologjikë, reparti i djegie-plastikës si dhe një kat në Pediatri.
Manastirliu e njoftoi se për fat asnjë pacient nuk është dëmtuar.
Ndërkohë, Rama tha se qeveria po punon për të lidhur një marrëveshje me një kompani turke që merret me ndërtime të banesave antisizmike dhe ekologjike, që kanë kosto të ulët. Rama tha se përveç shtëpive, të prekura nga tërmeti, po shihet mundësia që kjo kompani të ndërtojë edhe qendra shëndetësore.
“Ne po bëjmë një negocim, besoj se do t’ja dalim me një kompani të madhe turke qe është e certifikuar ndërkombëtarisht dhe që punon për tregun në Amerikë. Besoj do bëjmë super marrëveshje me shtëpitë. Shtëpi me standarde fantastike, antisezmike, ekologjike, antizjarr dhe i thash që të na japin edhe disa oferta për qendra shëndetësore sepse janë me kosto shumë më të ulët dhe janë super. Ne mund të bëjmë më shumë me ta. Ata bëjnë edhe shkolla. Po bëjmë një punë me ta që do na japi shumë sukses”.



