Personat në foto janë 9 personat e vendosur në arrest me burg dhe arrest shtëpie në lidhje me skemën mashtruese të mikrokredive. Bëhet fjalë për shtetasit Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, Kejda Seferi, Arben Meskuti, Alban Kote, Alketa Tanushi, Jorsida Dervishi dhe Elda Ibro.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka vendosur 9 masa sigurie, 5 “arrest në burg” dhe 4 “arrest në shtëpi” për administratorë të subjekteve financiare dhe përmbarues. Ata akuzohen për veprën penale “skema mashtruese dhe piramidale”. Në total sipas organit të akuzës ata kanë shkaktuar një dëm financiar 7,3 milionë euro.
Ekspertët akuzojnë institucionet e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë se nuk kanë marrë masat e duhura dhe në kohën e duhur. Ndërkaq guvernatori i BSH Gent Sejko, i ka hedhur poshtë akuzat, duke u shprehur se revokimi i licencës për “Micro Credit Albania” ishte masa e duhur, ndërsa ka kërkuar ndryshime ligjore.



