
Konstitucionalisti Soko Hazizaj tha përmes një lidhje “Skype” me studion e MCN Live se amnistia penale është proces i vonuar pasi duhet të kishte ndodhur që vjet, duke shtuar se ngërçi politik ka sjellë ndër të tjera mbipopullimin e burgjeve si dhe i hequr mundësinë disa njerëzve që kanë kryer procesin e rehabilitimit.
Sipas Hazizajt, ligji ynë duhet të përafrohet me atë të SHBA-së dhe të ngrihen komitete penitenciare që vlerësojnë nëse një person është rehabilituar apo duke bërë që amnistia të mos jetë vetëm politike.
Është proces human, demokratik, pse jo dhe politik. Mendoj se jo vetëm që është e vonuar se duhet të ishte bërë që vitin e kaluar, por ngërçi politik, mosfunksionimi i Kuvendit bëri të mundur që amnistia si proces të mos ndodhë për 2-3 vjet, kjo ka sjellë edhe mbipopullimin e burgjeve, por pamundësoi mundësinë e njerëzve që po vuajnë dënimin dhe kanë qenë të rehabilituar për shkak të ekzekutimin të dënimit. Nuk duhet pasur frikë që në mënyrë të përvitshme të ndodhë amnistia, si për njerëzit edhe për veprat.
Ne ligjin për ekzekutimin e veprave penale dhe ligjin për burgjet, duhet ta përafrojmë me vendet më të mira, duhet ta përafrojmë ligjin me SHBA, ku ekzistojnë komitetet penitenciare. Që procesi i amnistimit të mos jetë proces politik, duhet që pranë Drejtorisë së Burgjeve të ngrihet një komitet që konstaton përmes informacioneve të ndryshme, që shumë prej të dënuarve e kanë realizuar procesin e rehabilitimit. Dhe do ishte tagër i këtij komiteti për të mundësuar lirimin para kohe të personave që e kanë realizuar procesin e rehabilitimit. Shoqëria duhet të jetë më humane. Edhe politika sado e vrazhdë qoftë ajo duhet të pranojë që njeriu jo vetëm është kalimtar, por mund të rehabilitohet më shpejt sesa e parashikon ligji.
Mazhoranca nuk e ka shumicën e cilësuar dhe i duhet një kompromis politik me të ashtuquajturën opozitë, për mua nuk ka rëndësi se më kë krijohet. Thellimi i diskutimit, duke shfrytëzuar amnistinë e njerëzve që janë rehabilituar, apo moslejimi i dhënies së një mundësie kushtetuese siç është amnistia, do më dukej imoralitet. Procesi i amnistisë të veprave penale është proces përtej politikës.
Politika do të ishte në standardin që do duhej nëse do miratonte me apo pa vërejtje të gjitha draftet nga Ministria e Drejtësisë për miratimin jo të një amnistie në një vit, por të dy apo tre amnistive në vit.



