Kjo më sipër mund të mos jetë më e famshme në botë, por sigurisht që është shumë e lakmuar nga hajdutët e artit. Vepra e holandezit Frans Hals, e pikturuar midis viteve 1626 dhe 1628, është në listën e pikturave më të vjedhura në planet (rekordin e mban portreti i Rembrandt-it të Jacob de Gheyn III, i vjedhur katër herë nga Galeria Dulwich në Londër midis 1967 dhe 1983). Për herë të tretë, gushtin e kaluar piktura u mor nga muzeu “Hofje van Mevrouë van Aerden” në qytetin e Leerdam, rreth gjashtëdhjetë kilometra në jug të Amsterdamit.
Precedentët
Piktura, e cila ka një vlerë prej 15 milionë euro, duke qenë një nga më të njohurat e autorit të njohur të shekullit të XVII është praktikisht e pamundur të rishitet. Ajo ishte vjedhur nga i njëjti muze në 1988 dhe 2011 (bashkë me një vepër tjetër të Jacob van Ruysdael), dhe pastaj u gjet herën e parë tre vjet më vonë dhe të dytën pas gjashtë muajsh. Duke parë këto zhdukje të përsëritura, është ngritur pyetja nëse piktura ndoshta vepra fsheh një kod sekret që të çon drejt ndonjë thesari.
Vjedhjet
Muzeu holandez u mbyll për shkak të pandemisë. Alarmi ra në 3.30 të mëngjesit të 27 gushtit të kaluar. Sipas policisë holandeze, hajdutët hynë duke thyer një derë në pjesën e pasme të muzeut. Sigurisht që sistemet e sigurisë nuk ishin më të mirat, pasi kjo është vjedhja e tretë. Por pse vidhet gjithmonë e njëjta pikturë?
"Nëse është vjedhur, kjo do të thotë se ai është i famshëm, kështu që ata zgjedhin një vepër që e dinë se vlen”, shpjegon një hetues privat holandez që ndjek raste të ngjashme. Shpesh ata që vjedhin, ose dërgojnë të tjerët të vjedhin vepra arti, kanë synimin të marrin një shpërblim nga kompanitë e sigurimeve (të cilat tani nuk janë më të gatshme të paguajnë) ose mund t'i përdorin ato si "plaçkë negociimi" në rast arrestimi, për të marrë një zbritje dënimi.
Shpengimet
Në vjedhjen e parë në vitin 1988, piktura u rikuperua pas pagesës së policës së sigurimit. Tre persona u arrestuan, por piktura kishte kaluar dorë më dorë disa herë, përfshirë ato të Klaas Bruinsma, baronet holandez të drogës, i cili u vra përpara hotelit “Amsterdam Hilton”, në 1991. Në vitin 2011, katër burra u përpoqën të negocionin për ta kthyer kundrejt një pagese prej 1.5 milion euro. Negociesi ishte në fakt një polic i maskuar dhe i arrestoi. Pas vjedhjes së fundit në gusht, megjithatë, fati i saj nuk dihet.



