
115 persona janë arrestuar në flagrancë në një megaoperacion për lojërat e fatit, të shtrirë në të gjithë vendin. Rezultatet e operacionit I bëri publike, vetë kryepolici, Ardi Veliu, teksa tha se pikat e paligjshme të basteve sportive u zhvilluan në kohën që luheshin ndeshjet e futbollit te Europa League.
Në kuadër të operacionit “Fati i lojërave”, janë ushtruar rreth 486 kontrolle në lokale dhe ambiente ku dyshohej se zhvilloheshin lojërat e fatit, kryesisht në Tiranë dhe në disa qarqe të tjera të vendit.
Veliu tha se operacioni për lojërat e fatit do të vijojë ende dhe në qarqet e tjera të vendit, për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të ushtruar aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit, pavarësisht masave të marra nga qeveria dy vjet më parë për mbylljen e çdo aktiviteti të tillë.



