Eksperti i mjedisit Olsi Nika tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se informaliteti ndikon keq në ndotjen e bregdetit. Ai thekson se ndërtimet e reja të palidhura në rrjet shkarkojnë ujërat e zeza në det. Duke përmendur Durrësin, Nika vë në dukje se një pjesë e qytetit s’ka askes total në impiantin e trajtimit.
“Ato problematika që kanë qenë vazhdojnë të jenë, edhe për shkak të masave që duhet të ndërmerren, për funksionimin e impiantit të trajtimit të ujërave të përdorura. Situata është pak më kompleks. Nuk mjafton që të themi që kemi një impiant të trajtimit të ujërave të përdorura në Kavajë dhe të themi që gjithë bregdeti që përfshin Bashkia Kavajë është në rregull.
Informaliteti në Shqipëri vazhdon të mbetet i lartë. Ndërtimet e reja të palidhura në rrjet vazhdojnë të jenë fenomene që ndodhin. Mjafton të kesh disa nga këto njësi që shkarkojnë ujërat e zeza, cilësia paraqitet ashtu si paraqitet. Ka probleme gjithë zona e Porto Romanos, dhe një pjesë e vet qytetit të Durrësit s’ka akses total në impiantin e trajtimit, por mos harroni ndikimin nga pjesa kontinentale, nga ato që shkarkojnë nga lumenjtë dhe lumi i çon në det. Hot spot-e janë zonat që nuk frekuentohen. Autoritetet duhet të informojnë qytetarët për plazhet që kanë cilësi të keqe.
Në kategorinë A bëjnë pjesë pak, shumë pak. Plazhi i Palasës ka qenë dikur. Nuk është vetëm përgjegjësi e pushtetit vendor. Disa nga bashkitë s’e kanë fuqinë realiste për t’i përmbushur kompetencat e tyre. Ka bashki të vogla. Ne jemi rasti më flagrant në rajon nga plastika. Por edhe vende të tjera kanë problematikat e tyre”.



