Kryeministri Rama u ndal në shkollën “Leonik Tomeo” në Durrës për të parë nga afër masat e marra për nisjen e vitit të ri shkollor, në kushtet e pandemisë. Rama tha se pavarësisht se janë marrë masat për mësimin në klasa, e gjitha varet nga faktori njerëzor.
“Duhet t’ia dalim edhe në aspektin e mbrojtjes sa më efikase të shëndetit të gjithsecilit. Është e vërtetë që moshat e reja, fëmijët e vegjël, janë më pak të rrezikuar nga ky virus, por është absolutisht e pavërtetë dhe këtë duhet ta fiksoni mirë në kokë që jeni plotësisht të mbrojtur. Pra, larg qoftë, rastet kur virusi ka goditur rëndë, madje ka marrë edhe jetë në këto mosha, nuk mungojnë. E gjitha varet nga disiplina, autodisiplina, për të respektuar rregullat e thjeshta. Aspekti tjetër është që fëmijët dhe mosha juaj janë transmetues të virusit. Kjo është një sfidë e përbashkët, ku secili ka rolin e vet dhe ku mjafton njëri të gabojë për të marrë në qafë të tjerët. Janë marrë të gjitha masat për mësimin në klasa, por e gjitha varet nga faktori njerëzor”, tha ai.
Duke iu drejtuar të rinjve, Rama tha se pret rritje të rasteve të reja, por e rëndësishme është që ato të mbeten brenda parashikimeve. Kjo sipas Ramës kërkon angazhimin e të gjithëve për ta përballuar këtë sfidë.
“Do të kemi rritje të numrave, por ajo që na duhet është t’i mbajmë numrat brenda parashikimeve. Kjo është një luftë që vazhdon, ka fazat e veta, virusi nuk ikën, do kërkojë kohë derisa të dobësohet dhe popullata të imunizohet. Do kërkojë kohën e vet edhe vaksina. Kështu që sipas të gjitha gjasave ky vit shkollor do të jetë shumë i vështirë. Kjo është një sfidë dhe duhet përballuar. Alternativa tjetër është ta humbasësh sfidën dhe pasojat janë të pallogaritshme”, tha Rama.



