
Durrësi, i cilësuar si kryeqyteti shqiptar i turizmit, ka hapur zyrtarisht sezonin turistik veror me një atmosferë festive dhe një kalendar të pasur aktivitetesh sportive, kulturore dhe artistike.
Korrespondentja Ervina Garo foli për “MCN Live” mbi pritshmëritë, organizimet dhe sfidat që pritet të shoqërojnë këtë sezon veror.
Qyteti bregdetar, i kthyer vitet e fundit në një destinacion të preferuar gjatë gjithë vitit, pritet të përjetojë edhe këtë sezon një fluks të lartë turistësh.
Përfaqësues të Bashkisë së Durrësit bëjnë me dije se gjatë sezonit do të zhvillohen aktivitete të shumta artistike, sportive dhe promovuese, me fokus jo vetëm turizmin veror, por edhe atë kulturor dhe të aventurës.
Sipas autoriteteve lokale, Durrësi hyn në këtë sezon me rreth 300 struktura akomoduese të gatshme për turistët vendas dhe të huaj, ndërsa janë marrë masa për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Një nga risitë e këtij viti mbetet turizmi i aventurës, i cili po tërheq veçanërisht turistët gjermanë.
Vitet e fundit, rritja e numrit të vizitorëve e ka kthyer Durrësin në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në vend.
Sipas operatorëve turistikë, sezoni këtë vit pritet të jetë i shtrirë nga muaji mars deri në tetor.
Sa i përket vijës bregdetare, është kryer pastrimi dhe sistemimi i plazheve, ndërsa ndarja e parcelave në bregdet i është adresuar Ministrisë së Turizmit.
Megjithatë, mbetet ende e paqartë mënyra e ndarjes së hapësirave mes subjekteve private dhe atyre publike.
Edhe pse çadrat dhe shezlongët janë vendosur përgjatë vijës bregdetare, mungon një pasqyrë e qartë dhe kontroll i dukshëm institucional në terren lidhur me administrimin e plazheve.
Për këtë sezon, pritshmëritë janë për një rritje të fluksit turistik me rreth 15-20% krahasuar me një vit më parë.



